Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh urgjent pas sulmit Iranian mbi Izraelin, me mbi 300 raketa e dronë të cilët u zmbrapsën me ndihmën e SHBA dhe aleatëve të tjerë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres teksa dënoi sulmin dhe bëri thirrje për uljen e tensioneve, duke thënë se as rajoni i Lindjes së Mesme dhe as bota nuk mund të përballojnë një tjetër luftë.
“As ai rajon dhe as bota nuk mund të përballojnë më luftëra. Populli i rajonit po përballet me rrezikun e vërtetë të një konflikti shkatërrues në shkallë të gjerë. Tani është koha për të zbutur tensionet”, theksoi Guterres.
Nga ana tjetër, ambasadori iranian në OKB, tha se Irani “nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të ushtronte të drejtën e tij për vetëmbrojtje”.
Mes tij dhe ambasadorit izraelit pati shkëmbim akuzash. Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan tha se Irani “duhet të ndalet përpara se ta çojë botën në një pikë pa kthim, në një luftë rajonale që mund të përshkallëzohet në një luftë botërore”.
I dërguari i Izraelit në OKB i kërkoi Këshillit të Sigurimit të vendosë “të gjitha sanksionet e mundshme” kundër Iranit pas sulmeve të paprecedentë të vendit.
“Duhet të ndërmerren veprime tani, jo për hir të Izraelit, jo për hir të rajonit, por për hir të botës. Ndaloni Iranin sot”.
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson tha se ai planifikon të vërë në votim projektligjin e ndihmës për Izraelin këtë javë, por nuk sqaroi nëse financimi për Ukrainën do të ishte pjesë e paketës.
Teherani lëshoi më shumë se 300 raketa e dronë në Izrael mesnatën mes 13 dhe 14 prillit, si hakmarrje ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask të Siri, më 1 prill. Është e paqartë se si Izraeli planifikon të përgjigjet, por ministri i kabinetit të luftës Benny Gantz ka thënë se do të “caktojë një çmim” për sulmin e Iranit kur të jetë koha e duhur.