Tre prej të arrestuarve të operacionit të koduar ‘Sammogia’ u ndaluan në Vlorë. Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Landi Kalemaj si dhe Floriant e Ledjon Muhon, 38 dhe 33 vjeç. Për të tre këta persona Gjykata e Bolonjës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana dhe homologët në Itali janë duke punuar për kryerjen e ekstradimit të tyre në vendin fqinj. Mediat italiane që kanë publikuar edhe pamje të operacionit shkruajnë se përveç 13 të arrestuarve, janë edhe 9 të tjerë nën hetim.
Nga kontrollet u sekuestrua 26.5 kg kokainë dhe 11 kg marijuanë. Grupi akuzohet se trafikonte lëndën narkotike nga Gjermania drejt Italisë me korrierë të posaçëm të cilët u mbajtën nën vëzhgim.
Për operacionin e finalizuar reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai tha se ky bashkëpunim i Policisë së Shtetit me partnerët konsolidon akoma më shumë marrëdhënien mes autoriteteve shqiptare dhe atyre europiane në luftën kundër grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Operacioni, i iniciuar nga Policia italiane, u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.
Finalizimi i tij, rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Departamentit të Policisë Kriminale/Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyrës së Interforcës Italiane në Shqipëri.
Pjesëtarë të një organizate kriminale në Itali, për trafikim narkotikësh, lokalizohen në Vlorë, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Gjatë operacionit ndërkombëtar “Sammogia”, në total, në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u arrestuan 13 shtetas.
Si rezultat i partneritetit shumë të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese italiane, të konkretizuar me shkëmbim intensiv informacionesh dhe operacione të njëpasnjëshme të përbashkëta, me objektiv kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, Departamenti i Policisë Kriminale/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, finalizuan operacionin ndërkombëtar të koduar “Sammogia”.
Gjatë këtij operacioni të zhvilluar paralelisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani, u lokalizuan në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit L. K., 52 vjeç, F. M., 38 vjeç dhe L. M., 33 vjeç.
Për të tre këta shtetas, Gjykata e Bolonjas ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana dhe homologët në Itali vijojnë bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali.