Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen që serbët e Kosovës humbën mundësinë për të zgjedhur kryetarët e rinj “që do të ishin vërtetë përfaqësues”.

“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Peter Stano, dërguar Top Channel.

Stano shton se vendimi për bojkot ka shkaktuar një sërë problematikash dhe rezultati i votimit nuk kontribuon në uljen e tensioneve.

“Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”, thekson Stano.

Pavarësisht rezultati, Kosova konsideron se janë plotësuar kushtet për largimin e masave ndëshkuese, e sipas Stanos, një gjë e tillë do vendoset pas një raporti të Josep Borrell.

“Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, thuhet në përgjigje.

Përgjigjja e plotë:

Më 12 dhjetor 2023, Këshilli bëri thirrje që zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës të mbahen sa më shpejt dhe serbët e Kosovës të marrin pjesë aktive, pa asnjë parakusht.

Kosova ka mundësuar zgjedhjet e reja lokale përmes votimit për largimin e kryetarëve të komunave. Ndërkohë që organizimi i votimit të tërheqjes nuk ishte i lirë nga sfidat (duke përfshirë risitë si instalimi i kamerave të sigurisë), procesi lejoi organizimin e votimit të tërheqjes.

Vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veri për t’u tërhequr nga procesi dhe për të bërë thirrje për bojkot rezultoi në një sërë vështirësish, duke përfshirë krijimin e disa komisioneve të qendrave të votimit pa asnjë anëtar serb të Kosovës.

Po ashtu, vendimi i drejtorëve të shkollave me planprogram serb në veri të Kosovës për të mos lejuar përdorimin e shkollave si vendvotime, disa ditë para ditës së votimit, ka krijuar sfida serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo gjithashtu pengoi qasjen e qytetarëve në informacione të sakta për vendndodhjet e reja të vendvotimeve.

BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues.

Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve.

Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së.

credit./Top channel