Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, dhe Bashkimit Europian, i cili mbahet në Kotor të Malit të Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor i bëri thirrje BE që të garantojë kreditë.
Rama: Para takimit në Sarajevë besoj që deri në atë takim ministrat e integrimit do të vijojnë të punojnë në iniciativa të duhura për të na integruar në tregun unik, të gjitha aleancat duhet të funksionojnë dhe kërkojnë punë ditore, kërkoj nga komisioni të na ndihmojë në përfundimin e hartës rrugore për të na integruar në 2027, propozoj që ministrat e integrimeve, i kemi lançuar takimet periodike të ministrave të integrimit, energjisë dhe turizmit, jo vetëm mes nesh por edhe BE. Të gjithë të keni synim për t’i dhënë shtysë qëllimit të përbashkët që na ka sjellë së bashku këtu, në takimin e ardhshëm të kemi gati planin strategjik të tregut të përbashkët 2.0 që do të bashkërendohet nga Këshilli i bashkëpunimit Rajonal.
Me ndihmën e Bankës Evropiane do të bindim BE të garantojë për kreditë tona. Është e rëndësishme të marrim financime. Në fund të fundit siç na thoshin kur ishim fëmijë, të varesh ekonomikisht nga ju ka qenë humbja e lirisë sonë për t’ju hequr qafe. Garantoni kreditë tona, do vini pas nesh duke kërkuar paratë.
Herën tjetër siguroni që Mali i Zi të jetë me diell edhe jo kështu.
Ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.
Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në Samit janë të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian,etj.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:
-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
-Përshpejtimi i reformave themelore
-Rritja e ndihmës financiare