Flamur Noka: PD është parti e demonstruar si parti e shtetit ligjor dhe e angazhuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në kundërshtim me atë që shohim sot me kolegët e rilindjes, të zhytur në batak. Raportet e ndërkombëtarëve e tregojnë këtë.

E nisin pushtetin me një parlament të mbushur me kriminelë, po e mbyllin me një parlament të mbushur me të korruptuar. Kjo do të kërkonte që një institucion si juaji duhet të vinte këtu me një agjendë krejt tjetër për të zgjidhur këtë situatë.

Sondazhet e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim tregojnë se 81.5 për qind e qytetarëve e vlerësojnë korrupsionin si masiv dhe shumë të përhapur në vend. Për fat të keq, në këto sondazhe, citohet që ka një rritje të korrupsionit nga viti 2022 ne 2023 me 4.8 për qind. Kjo tregon që lufta kundër korrupsionit nuk po njeh trend rritës ose nuk ka impakt. Nuk po jep efekt.

Gjatë 2023, sipas raportit që ju keni dorëzuar në KLP, janë dorëzuar në gjykatë 38 çështje për korrupsion. Kur krahason shifrat, kjo shifër është niveli më i ulët në 20 vitet e fundit dhe të raportohet niveli më i ulët.

Mos vallë keni ngërç diku se Rama funksionon edhe me pengmarrje, ju sot keni 18 prokurorë, janë dhe 60 hetues të BKH. Task forca në atë kohë nuk kishte as gjysmën e këtij stafi!

Altin Dumani: Kur kam qenë drejtues i Task Forcës, edhe atëherë kam pasur rezultate të mira, ju garantoj që mbetem i njëjti. Nuk kam ndryshuar. Nuk më rriten veshët as kur më lavdërojnë, as kur më shajnë. Kush ka punuar me mua, e di mirë se çfarë përfaqësoj. Në këtë detyrë, që ndihem i nderuar që e kam, përpiqem të bëj më të mirën. Nuk duhet personalizuar. Unë jam një drejtues i prokurorisë. A jemi për t’u kritikuar? Po, por kur ka vend për t’u vlerësuar, edhe duhet vlerësuar. Pse nuk e the perceptimin e publikut te SPAK në raport. Çfarë bëjmë ne, ngremë akuza, fusim njerëz në burg. Por nuk është kënaqësi. Edhe ne nuk flemë të qetë sa i takon analizës së provave kemi marrë vendim të drejtë apo jo.

Iu drejtove edhe raporteve të ndërkombëtarëve, unë e thashë që nuk i kisha duart e lidhura në 2008, nuk i kam as në 2024. Unë jam prokuror. Nuk ka shanse të jem politikë, nuk ka shanse të ndikojë kush.