Një tjetër përplasje në distancë ka ndodhur mes kryeministrit Edi Rama dhe mediave italiane, pas reportazhit të emisionit Report në Rai 3 për Shqipërinë. Këtë herë bëhet fjalë për një shkrim të ‘La Repubblica’, shkruar nga gazetari Gerardo Greco, i cili titullohet ‘Rama ‘shkarkon’ Melonin: Qendra e emigrantëve do të jetë një dëshpërim’. Por kreu i qeverisë shqiptare, thotë se në asnjë moment nuk ka përdorur këto fjalë.

Rama tregon se ka zhvilluar një bashkëbisedim miqësor me miqtë e ardhur nga Italia, nga ku kanë diskutuar edhe për emigracionin e paligjshëm. Duke hedhur poshtë shkrimin e medias italiane, Rama shton s’do të kishte menduar se do të vendosnin në gojën e tij fjalë që nuk i ka thënë e të përfundonte sërish në kënetën e politikës italiane.

Në konfidencialitet me miqtë e tij italianë, Rama ka marrë si shembull punën e ish-kryeministrit italian Massimo D’Alema në vitet 1998- 2000, për mënyrën si arriti t’i japë fund me shumë sens të shëndoshë dhe largpamësi strategjike, çështjes së emigracionit të paligjshëm.

“Jo, nuk ndryshova mendje dhe nuk dhashë një intervistë. Kam vepruar si një shqiptar që praktikon fenë tonë të lashtë të mikpritjes, shtëpia shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, duke u ofruar kafe miqve të ardhur nga Italia në Tiranë. Biseduam për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësie dhe sigurisht edhe për marrëveshjen dhe historinë e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Itali, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i japë fund me shumë sens të shëndoshë dhe largpamësi strategjike. Por nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundoja edhe një herë në kënetën e betejës politike italiane në thonjëza me fjalë që nuk i thashë kurrë, si “do të jetë një dështim” ose “do të donim D’Alema” nën titullin “Rama hedh poshtë Melonin” në të cilin nuk e njoh fare veten”.- shkruan Rama.

Ai ripërsërit edhe njëherë qëndrimin e tij pro marrëveshjes së emigrantëve me Italinë.

“Megjithatë, e përsëris: Nëse do të më duhej t’i ktheja hapat e mi njëqind herë, do të bëja marrëveshjen për emigrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithmonë se për mendimin tim është një gjë e re që do të duhet të përballet me provën e realitetit. Por nëse në realitet publikon një foto të një kantieri në orët e para të punës, shoqëruar me titullin “800 milionë të hedhura në ajër”, atëherë ne jetojmë në botë paralele dhe asgjë nuk mund të na afronte me sfidën e vërtetë gjigante të emigracionit t paligjshëm, në një Evropë që duhet të bashkohet për të luftuar në të njëjtën kohë trafikun kriminal të të varfërve dhe dimrin demografik që kërcënon gjithnjë e më shumë të në të ardhmen e tij, ndërkohë që politikanët duken si priftërinjtë e Kostandinopojës që u zhytën aq shumë në debatin mes tyre për seksin e engjëjve dhe nuk e kuptuan se muret e qytetit ishin tashmë të shpuar nga të gjitha anët”.

Rama u shpreh për miqtë e tij italiane skeptik mbi politikat që do të ndiqen nga BE dhe Italia për mbarëvjatjen dhe funksionimin e këtyre dy kampeve, por nuk thotë në asnjë moment gjatë bisedës konfidenciale se marrëveshja do të jetë një dështim.

‘Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?’.- tha Rama për miqtë italianë.