Kryeministri Edi Rama e ka mbyllur takimin me shqiptarët e Italisë duke u bërë thirrje dhe ftesë që të kthehen në Shqipëri dhe të investojnë në vendin e tyre, që sot u jep shumë mundësi.

“Ai që do kthehet më shpejt, do ketë më shumë vite në paqe, për shpirtin e ndarë në dysh. Nuk jeni të detyruar të zgjidhni o njërën o tjetrën mes të dyjave, sepse e keni mundësinë, këtu me halle andej me zemër. Por edhe me punë edhe me zemër, edhe këtu edhe atje.

Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur. Koha e ribashkimit përfundimtar me familjen europiane.

Sot udhëheqësit vijnë në Durrës, sot në Shqipëri jetojnë 20 mijë italiane dhe nr rritet çdo javë. Afro 1 mijë të rinj e të reja studiojnë në Shqipëri, 3 mijë biznese janë italianë, shumë italianë vijnë në fundjavë. Sa shumë është shtrenjtuar jeta juaj këtu në Itali, ndërkohë kam një ftesë për t;ju bërë, të gjithë shqiptarëve që punojnë në hoteleri turizëm, informohuni vetë, jo nga ekranet, jo nga kanalet e mbushura me vrer politikë, informohuni sa janë pagat, sa merr dikush që  punon në hoteleri dhe bëni llogarinë Kush vjen i armatosur me dijen, është i fituar”, u shpreh kreu i ekzekutivit në mbyllje të fjalës së tij.