Avokati që njihet dhe si një nga avokatët e ish kryeministrit Sali Berisha u dhunua nga tre persona në një zonë të populluar dhe të mbuluar nga kamerat e sigurisë.  Nga ajo çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë autorët kanë qenë të pamaskuar por të veshur me kapele dhe me rroba të zeza. 

Autorët i janë afruar Mëngjesit dhe fillimisht e kanë qëlluar me shpulla. Avokati duket se i ka njohur autorët pasi fillimisht komunikon me ta dhe më pas ata e kanë qëlluar edhe me sende të forta. Policia thotë se ka identifikuar njërin prej autoreve dhe ka ushtruar kontroll në banesën e tij por nuk e ka gjetur.  Sulmi duket se ishte planifikuar pasi autorët dinin lëvizjet që pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë kryente çdo mëngjes dhe e kanë pritur që ai ta linte fëmijën në kopsht.

Mësohet se Mëngjesi ka fraktura në kokë dhe dëmtime të tjera në trup. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, avokati është futur në intubim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës. Ai po merr ndihmë nga aparaturat mjekësore për oksigjen

Ende nuk është marrë në pyetje dhe zyrtarisht nuk dihet motivi i sulmit.

Në spitalin e Traumës e vizitoi Argita Malltezi vajza e ish-kryeministrit Berisha dhe kreu i policisë së Tiranës Tonin Vocaj.

 Mëngjesi prej 2010 është pedagog në Departamentin e së Drejtës Penale të këtij fakulteti. Ndërkohë ushtron dhe profesionin e avokatit duke mbrojtur ish kryeministrin Sali Berisha në dosjen e aferës së privatizimit të sport klub Partizanit për të cilën po hetohet për akuzën e korrupsionit. Gjithashtu është dhe avokat i Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Lajmi ne perditesim.. .