4 shtetas shqiptarë, mes të cilëve dy drejtues të grupit, kanë rënë në prangat e policisë greke të dyshuar si autorë të kultivimit të një parcele me cannabis sativa në ishullin grek të Evias.

Policia greke kishte siguruar informacion se prej muajit prill të këtij viti, Mustafa Gjolleshi 36 vjeç nga Lazarati dhe Edvin Xhaferi 45 vjeç nga Delvina, kishin ngritur një grup kriminal duke kultivuar në një zonë pyjore në Manikia të ishullit Evia në Greqi, një parcelë me cannabis sativa.

Në kuadër të një operacioni të zhvilluar dje në mëngjes në vendin e dyshuar, u arrit të kapej dhe arrestohej ne flagrancë duke u kujdesur për bimët, 37 vjecari nga Libohova, Robert Laraj. Në vendin e ngjarjes u gjetën të kultivuara në 6 zona 1061 bimë narkotike cannabis sativa nga të cilat 103 në forma plastike si dhe dy çadra të ngritura enkas dhe pajisje për ujitjen e bimëve të furnizuara nga një burim.

Operacioni ka vazhduar në një banesë në Seta të Evias, ku është arrestuar Ardjan Shaipi 51 vjec nga Tirana, i punësuar si shofer në një kompani Security. Në zonën e Filadelfias dhe Kipselit në Athinë, policia ka vijuar operacionin duke vënë në pranga 36 vjecarin nga Lazarati, Mustafa Gjolleshi, mbajtës edhe i dokumentave të ligjshme greke si dhe 45 vjeçarin nga Delvina, Edvin Xhaferi.

Këta dy të fundit sipas policisë greke ishin përgjegjës për organizimin e kultivimit të fidanëve të drogës, furnizimin dhe transportin e pajisjeve dhe furnizimeve nëpërmjet bashkëpunëtorëve në zonën e plantacionit si dhe transportin e drejtpërdrejtë të bashkëpunëtorëve të tyre në zonë, Laraj merrej me kujdesin e bimëve ndërsa Shaipi me transportin e anëtarëve të grupit dhe furnizimeve duke përdorur mjetin e kompanisë ku punonte. Sipas policisë greke Gjolleshi dhe Xhaferi, për të vështirësuar identifikimin e tyre apo lidhjen e mundshme me veprimtarinë e paligjshme, kanë përdorur për lëvizjen e tyre një automjet pune me të dhënat e një pronari vendas dhe kur kishte defekt mekanik u detyruan të përdorin mjetin privat të Gjolleshit.

Gjatë kontrollit të banesave të të arrestuarve, u gjetën dhe sekuestruan 1500 fara cannabis sativa, telefona celularë dhe karta SIM, 940 euro dhe 1 automjet. Vlerësohet se fitimet e mundshme nga tregtia e drogës mund të shkonin në 1 milionë euro.