Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi i dhunuar 4 ditë më parë për shkak të detyrës, vijon të jetë e njëjtë. Ai ndodhet ende në intubim në spitalin e Traumës, i stabilizuar por pa asnjë ndryshim.

Ndërkaq po zhvillohet me dyer të mbyllura në gjykatën e Tiranës, masa ndaj dy të arrestuarve, Dritan Nano, i dyshuar si organizatori për sulmin e dhunshëm ndaj avokatit Sokol Mëngjesi si dhe Dorian Alias, një nga sulmuesit, i cili u vetëdorëzua.  Prokuroria kërkon masën e arrestit me burg për 2 të ndaluarit, si dhe për 3 të shpallurit në kërkim, Drivale Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku.

Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës ka zbutur akuzën ndaj të dyshuarve duke  rikualifikuar veprën penale nga vrasje të funksionarëve publik e mbetur në tentativë në ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.

Për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publik e mbetur në tentativë’ kodi penal parashikon jo më pak se 30 vjet ose burg përjetë. Ndërsa për veprën “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” burg nga 3 deri në 10 vjet “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit” në bashkëpunim.  Gjobë ose burgim deri në 7 vite

Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.

58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë, aty ku sot janë ndërtuar kulla te Diga e Liqenit. Marrëveshja mes palëve (trashëgimtarëve dhe avokatit) është për të përfituar një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq, pra jo pagesë, por pjesë e pronës. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.