Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për besimin në qeverisje i zhvilluar gjatë fundit të vitit 2023 me rreth 2500 të anketuar, tregon një pasqyrë të perceptimit publik në institucionet shtetërore, transparencën, llogaridhënien e përfshirjen qytetare.

Të dhënat tregojnë se institucionet më pak të besuara janë partitë politike dhe parlamenti, si dhe gjykatat dhe prokuroritë. Por sistemi i reformuar i drejtësisë duket se ka fituar besimin e shqiptarëve, të cilët mendojnë se kontribuon në zhvillimin pozitiv të vendit. Kryesisht SPAK-ut, ka shënuar një rritje me 10% bazuar edhe nga  të dhënat e vitit 2022.

“Po japin rezultat ato që thonë ndërkombëtarët, se pa pjesëmarrjen e tyre, asgjë. Puna e SPAK-ut për shembull mendoj se të stimuluar nga ata po avancon, se ndryshe, po i kërcënojnë. Të lihej në dorën e shqiptarëve asgjë s’do bëhej”, tha qytetarja.

Sondazhi zbulon se korrupsioni vijon të mbetet një fenomen shqetësues kombëtar, dhe mbi 60% e qytetarëve mendojnë se Spaku është institucioni më efektiv për trajtimin e korrupsionit.

Ndërsa besim të shtuar shqiptarët në strukturat vendase kanë te institucionet fetare si dhe organizatat e shoqërisë civile. Por rezultatet nxjerrin në pah se grupmosha 18 deri 25 vjeç ka një nivel relativisht më të ulët besimi tek të gjitha institucionet.

Sondazhi i vitit 2023 arrin në përfundimin se shqiptarët kanë më shumë besim te organizatat ndërkombëtare si OKB, BE në krahasim me institucionet vendase.

Kënaqësia e ofrimit të shërbimeve publike mbetet e përzier, duke i ndarë në dy kahe opinionet e të anketuarve. Por vihet re një shkallë e lartë ndërgjegjësimi për njohjen e përdorimin në mënyrë të pavarur  shërbimet elektronike nga e-albania.

“Institucionet ndërkombëtare janë më të besueshme për arsyen se realizojnë norma të larta gjykimi, si dhe janë më të shpejta në vendimmarrje, më të shpejta”, tha qytetari.