Dhjetëra persona janë vënë në pranga këtë mëngjes, gjatë një operacioni kundër klandestinëve, që nisi pas urdhrit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat, tha se janë lëshuar 31 urdhër arreste. 26 prej tyre janë vënë në pranga, mes të cilëve një punonjës policie.

“Janë sekuestruar 7 automjete, 1 laborator për falsifikimin e parave, 10 pasaporta italiane, një armë zjarri, 10 laptopë, 15 kompjutera që shërbenin për transaksione, lëndë narkotike, 47 aparate celularë dhe varëse floriri. Subjektet kryenin aktivitet të jashtëligjshme, ku merrnin para për të falsifikuar dokumente”, tha Rrumbullaku.

Në operacion, morën pjesë Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Departamenti i Policisë Kriminale, Forcat Kombëtare të Sigurisë, Shqiponjat dhe patrullat e përgjithshme të DVP Tiranë.