Afro 5 mijë tifozë i dhuruan një pritje të ngrohtë Italisë në seancën e parë stërvitore në tokën gjermane. Luciano Spalletti dhe stafi i tij kanë nisur punën me kohë të plotë për të përgatitur sfidën e parë në “Euro2024”, atë kundër Shqipërisë, të shtunën më 15 qershor në 21:00.

Të kaltrit nuk vijnë në kushte perfekte në këtë sfidë, pasi trajneri Spallatti ka ende dyshime në lidhje me formacionin, kjo e kushtëzuar nga forma e disa lojtarëve, mbi të gjitha e tre mesfushorëve.

Shqetësimi më i madh mbetet Nicolo Barella. Mesfushori i Inter nuk ishte i pranishëm në miqësoren e fundit kundër Bosnjes, ndërsa zhvilloi një seancë të diferencuar. Barella punoi vetëm me topin dhe me vrapime të lehta, por sipas mediave italiane, Barella do të jetë në fushë kundër Shqipërisë, mbase jo nga minuta e parë, por mund të aktivizohet në varësi se si do të shkojë kjo sfidë.

Në mënyrë të diferencuar u stërvit edhe Nicolo Fagioli, me mesfushorin e Juves që punoi në palestër. Zyrtarisht, Fagioli nuk do të jetë në sfidën e parë kundër Shqipërisë. Në dyshim është edhe forma fizike e Davide Frattesi-t, me mesfushorin e Inter që punoi vetëm në aspektin atletik, ndërsa më pas u ndal duke mbyllur stërvitjen në palestër, nuk mori pjesë në ndeshjen e kontrollit, por sipas mediave, Frattesi është në rregull.