Spanja ishte superiore në çdo aspekt ndaj Italisë së Spallettit, aq sa të kaltrit patën vetëm një goditje në portë për më shumë se 90 minuta. Nga ana tjetër, të besuarit e De la Fuentes nga 20 tentativa në total tetë i kishin në portë, me Donnarumman që iu desh të bënte heroin, i ndihmuar edhe nga traversa.

Jo vetëm Sylvinho e Zabaleta, por çdo tifoz i thjeshtë që e ka ndjekur Spanjën nga ekrani e kupton se është e vështirë t’i gjesh pika të dobëta kësaj skuadre. Në fakt, një pikë të dobët e ka theksuar vetë trajneri i ekipit “La Roja”: “Duhet të mos shpërdorojmë”. Çfarë luksi

Sylvinho dhe stafi i tij duhet të vrasin mendjen si të ndalin furinë spanjolle dhe të godasin në një moment shpërqendrimi të kundërshtarit, por e vështirë, shumë e vështirë të gjesh një formulë që të çon te rezultati i shumëpritur.

Me duart të kryqëzuara dhe me shpresën se Spanja do të kërkojë të ruajë freskinë e këmbëve për fazën tjetër dhe “shqiponjat” do të jenë në maksimumin e tyre, pse jo mund të ndodhë mrekullia.

/SuperSport/