Sylvinho Mendes Campos nuk ka rinovuar ende me Shqipërinë, me kontratën e tij që përfundoi pikërisht me rrugëtimin e Kombëtares kuqezi në Europian.

Ai pritej të rinovonte deri në Botërorin e 2026-ës, gjë që ende nuk ka ndodhur, teksa pas zbritjes në Tiranë ditën e djeshme, braziliani ka thënë që do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit kuqezi.

Gjithsesi, prestigjiozja spanjolle “AS” ka shkruar se ka një interes të fortë për Sylvinhon nga klubet europiane pas punës së tij të mrekullueshme me Shqipërinë.

“Duket qartë se në javët në vijim do të vijojnë ofertat për një trajner që ashtu si ekipi i tij ka dalë plotësisht në vitrinë gjatë këtij Euro”, shkruan “AS” në artikullin për brazilianin.

Tashmë çdo gjë pritet të mësohet në ditët në vijim, nëse Sylvinho do të vazhdojë me projektin e tij edhe në sfidat e Ligës së Kombeve që nisin në shtator.