FOTO ILUSTRUESEFOTO ILUSTRUESE

Valët ekstreme të të nxehtit e nga ana tjetër, reshjet e rrëmbyeshme të shiut po krijojnë peizazhe kaosi në të gjithë Evropën.

Në veriperëndim të Italisë, shiu që vazhdoi për dhjetë orë rresht shkaktoi përmbytje të mëdha, duke bërë që lumenjtë të arrijnë nivelin maksimal. Rrëshqitje dheu u raportuan në  Lago della Torre, ku ekipi zjarrfikës shpëtoi heroikisht një bari të bllokuar. Shtatë familje që ishin në rrezik në dy ndërtesa pranë përroit të Vasolës u detyruan të evakuoheshin pasi rruga u kthye në një përrua të furishëm.

Përtej kufirit, në jugperëndim të Zvicrës, dy persona humbën jetën dhe një i tretë është zhdukur pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitje dheu. Stuhitë goditën vendin alpin këtë fundjavë, me qindra njerëz të evakuuar pasi lumi Rhone dhe degët e tij dolën nga shtrati.

Ndërsa Greqia po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, me termometrin që këtë të diel arriti 42 gradë Celsius. Një zjarrfikës vullnetar 55-vjeçar humbi jetën tragjikisht pasi 45 zjarre shpërthyen brenda disa orësh në javën që lamë pas, ndërsa zjarrfikësit vijojnë betejën me vatrat e zjarrit në disa qytete.