Pas performacës së tij tejet të dobët në debatin televiziv javën e kaluar, presidenti Biden me sa duket për herë të parë ka folur me një të besuar për mundësinë e tërheqjes.
Sipas informacioneve të New York Times, Biden e ka pranuar se ndoshta nuk do të mund ta shpëtojë kandidaturën e tij, nëse ditët e ardhshme nuk do të arrijë ta bindë opinionin, se është i aftë të përballojë postin.
I besuari i Bidenit, i cili nuk dëshironte t’i përmendet emri, ka thënë: “Ai e di, se nëse ka edhe dy paraqitje të tjera si kjo e fundit, ne do të jemi ndryshe në fundin e fundjavës.”
Kjo bisedë përbën edhe sinjalin e parë se kreu i Shtëpisë së Bardhë po e mendon seriozisht sesa do të jetë vërtet në gjendje të marrë veten pas paraqitjes katastrofike në duelin televiziv me sfidantin Trump. Zyrtarisht megjithatë, Bideni këmbëngul se nuk do të tërhiqet.
“Unë jam kandidati i Partisë demokrate. Askush spo më detyron të iki. Dhe unë nuk largohem”, ka thënë ai sipas BBC-së.
Ndërkohë, një sondazh i realizuar nga kompania e kërkimeve Ipsos, tregon se nëse Biden tërhiqet vërtet nga kandidatura për një mandat të dytë në krye të shtetit amerikan ish-Zonja e Parë, Michelle Obama do të ishte e vetmja kandidate e mundshme demokrate që do ta mundte ish-presidentin Trump.
Michelle Obama kryeson gjithashtu renditjen midis votuesve të regjistruar, e cila lë pas Trumpin dhe Bidenin me më shumë se 10 për qind. Të gjithë kandidatët e tjerë të mundshëm demokratë kanë rezultate të ngjashme ose më të këqija se Bideni kundër Trumpi.
Vetë ish-Zonja e Parë megjithatë ka deklaruar në të shkuarën se nuk ka ndërmend të kandidojë në zgjedhje, ndërsa më herët e quajti punën e presidentit stresuese dhe rraskapitëse dhe si diçka që “nuk do të donte ta përballonte vetë”.