Europiani i Gjermanisë po hyn në fazën më të nxehtë të tij, aty ku llogaritë fillojnë bëhen dhe më delikate dhe ku çdo gabim kushton shumë.

E premtja e datës 5 korrik çel fazën e çerekfinaleve me një duel nga ato që në kuptimin e plotë të fjalës quhen si finale të “parakohshme”. Në “MHPArena” të Stuttgartit do të luhen minimalisht 90 minutat më emocionuese të këtij turneu deri më tani, kryendeshja e kësaj faze është Spanjë-Gjermani, një duel që e ka zanafillën që në fillimet e turneve madhorë, në sportin më të ndjekur në botë.

Nuk është Spanja e viteve të arta 2008-2012, por janë talentet iberikë që premtojnë shumë dhe deri më tani kanë sjellë imazhet e një përfaqësueseje të madhe. Nuk do të jenë Iniesta apo Xavi, por janë Pedri dhe Rodri, gati për të shkruar historinë e tyre dhe të atij kombi që mbajnë mbi supe. Më parë, shumëkush do e quante çmenduri të mendohej se ndonjë adoleshent që ende nuk ka kryer arsimin bazë të plotë, do të luante në nivele të tilla.

Lamine Yamal ka thyer çdo parashikim, duke u kthyer në lajtmotivin e këtij europiani kaq emocionues. Spanja e 2024-ës për disa mbase nuk është ajo e kohëve të arta të Barcelonës, që u reflektua më pas dhe në përfaqësuese, por është një skuadër e mbushur me talente dhe kampionë. Mjafton të përmendësh 21-vjeçarin Nico Williams dhe një fitues Champions League-e si Dani Carvajal me Realin e Madridit. Në Grupin B, Spanja ishte së bashku me Italinë, Kroacinë dhe kombëtaren e Shqipërisë.

Në ndeshjen e parë, iberikët treguan menjëherë dhëmbët, duke fituar pastër 3-0 ndaj Kroacisë, ndërsa në ndeshjen e dytë dehën Italinë me një lojë dëfryese, që pavarësisht rezultatit 1-0, dhuruan një nga ndeshjet më të mira në historinë e saj. Në sfidën e fundit, atë ndaj Shqipërisë, furia e kuqe luajti me formacionin e dytë dhe ia arriti të merrte 3 pikët e radhës, që i siguruan vendin e parë perfekt me 9 pikë të plota dhe asnjë gol i pësuar. Shorti i fazës së 1/16-ave ishte me fat për spanjollët, teksa Gjeorgjia ishte rivali i ndeshjes së parë me eliminim direkt. Pavarësisht se pësuan një gol që në fillim, madje edhe atë duke e shënuar vetë, me autogolin e Le Normand, 3-herë kampionët e Europës ishin të saktë dhe shënuan plot 4 herë në portën e Mamardashvilit, duke prerë biletën e çerekfinaleve.

Nga ana tjetër janë ata, Gjermania që nuk vdes kurrë. Gjermania që në ADN-në e saj ka disiplinën dhe vendosmërinë. Në kuotimet e këtij edicioni janë ata të parët, për ta fituar këtë event madhor. Përveç faktit që luajnë në shtëpinë e tyre, Gjermania ka treguar në këto ndeshje se di të jetë shumë e rrezikshme dhe nëse gjen pika të dobëta, është një përfaqësuese që nuk fal.

Ka një brez shumë të mirë lojtarësh, të mbushur plot me eksperiencë dhe fuqi në këmbët e më të rinjve. Që në portë kanë një kampion si Manuel Neuer, që pavarësisht moshës, është një nga më të mirët në rolin e tij mes shtyllave. Mbrojtje solide me Kimish dhe Rudiger, ku pak muaj më parë ishin rivalë në një nga ndeshjet më dramatike në Champions League në dekadën e fundit. Mesfushë plot fantazi e Gundogan dhe Musiala, që janë gati për t’u treguar të gjithëve që janë aty për të fituar. E më tej në sulm me një tjetër të kampion të ri në moshë si Florian Wirtz, ku e ardhmja e tij mendohet në klubet më të mëdha të Europës. Gjermania ishte pjesë e grupit A së bashku me Skocinë, Zvicrën dhe Hungarinë.

Ishin pikërisht të zotët e shtëpisë ata që luajtën ndeshjen hapëse të eventit ndaj Skocisë. Sfida e parë ishte një goleadë e panzerave, teksa e kthyen në një festival golash ndeshjen, duke fituar thellë 5-1. Në ndeshjen e dytë, Gjermania uli disi ritmin, por sërish fitoi me rezultatin 2-0 ndaj Hungarisë, duke blinduar kualifikimin. Përballja e tretë ndaj Zvicrës ishte ajo përcaktuese për vendin e parë. Deri në minutën e 92-të ishin helvetët ata që do dilnin si koka e grupit, pasi ishin duke triumfuar me rezultatin 1-0, por një gol i Fullkrug bëri që Gjermania të dilte e para. Në ndeshjen e fazës së 1/16-ave, Gjermania kaloi me jo pak vështirësi Danimarkën, ku golat e Havertz me penallti dhe Musialës, kualifikuan më tej skuadrën e Julian Nagelsmann.

Spanjë-Gjermani është nga ato ndeshje që jemi mësuar t’i shohim në gjysmëfinale ose finale. Nuk janë të largëta kujtimet, ku një tjetër europian pa protagonist këto skuadra. Në Euro 2008 finalja u diskutua pikërisht mes 2 ekipeve, me Spanjën që iu fal golit të Torres dhe ngriti në qiellin e Vienës titullin e dytë kampion në histori, ku më pas në 2012-ën e bëri në 3 numrin e trofeve pas finales me Italinë. Ndërsa 2 vite pas asaj finaleje, erdhi botërori i largët i Afrikës ku fati donte që Spanja dhe Gjermania të përballeshin sërish, kësaj here në gjysmëfinale. Nga zhvillimet e një goditjeje këndi erdhi goli që vendosi takimin. Krosimi i Xavi Hernandez gjeti Carles Puyol në zonë që me një goditje mjeshtërore me kokë gjeti golin e fitores spanjolle, që më pas u kurorëzua me triumfin në një kupë botë, ku mundi në finale 1-0 Holandën.

Gjermanët kërkojnë hakmarrjen për këto ndeshje, të cilat në Berlin janë kujtuar gjatë, për mënyrën sesi erdhën. Përfaqësueset janë ndeshur edhe në ndeshje të tjera miqësore dhe zyrtare të Nations League, por fitorja e fundit e panzerave ka ardhur në Europianin e 1988-ës, kur ende në kryeqytet qëndronte famëkeqi muri i Berlinit. Tani tifozët gjermanë janë të bindur se ka ardhur koha për një fitore të madhe, që i katapulton dhe më shumë në rrugën drejt finales, pavarësisht se në një gjysmëfinale potenciale do të gjejnë fituesin e çiftit Portugali-Francë. Europa dhe pse jo bota pasditen e datës 5 korrik, në orën 18:00 do të jetë dëshmitare e një prej faqeve të reja të historisë të sportit më popullor në planet.