Kanë përfunduar hetimet lidhur me skandalin ku u përfshi influencerja e famshme italiane, Chiara Ferragni.

Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut në Itali ka përfunduar për skandalin me vezët e Pashkëve dhe rastin “Balocco” vitin e kaluar, ku Chiara do t’i paguajë 1.2 milionë euro shoqatës së bamirësisë “I Bambini delle Fate” për tre vjet.

Në rast mosrespektimi, krahas rihapjes së procedimeve, do të aplikohet edhe një gjobë në 10 milionë euro e nëse situata përsëritet, mund të shkohet deri në mbyllje të veprimtarisë së bizneseve për një afat të shkurtër.

Vetë Chiara Ferragni ka reaguar publikisht përmes një komunikate në profilin zyrtar të kompanive.

“Pas nismës së Autoritetit të Konkurrencës dhe Tregut që kishte nisur procedimin për çështjen “Easter eggs/Chiara Ferragni”, kompanitë TBS Creë Srl dhe Fenice Srl njoftojnë se hetimi është mbyllur nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregut, duke pranuar angazhimet e propozuara nga kompanitë dhe palët e tjera në proces”.

Mashtrimi ka të bëjë me fushatën e bamirësisë mes Chiara-s dhe kompanisë “Balocco”. Panetonet do të shiteshin në treg me një vlerë 9 euro, ndërsa nga shitja e çdo ëmbëlsire një pjesë do të dhurohej për spitalin në Torino. Kur skandali u zbulua, autoritetet e krimit ekonomik dhe financiar në Itali, zbuluan se kompania “Balocco” në fakt kishte bërë vetëm një transaksion prej 50 mijë eurosh në llogarinë e spitalit.