Lulzim  Bashës po i ikin  jo vetëm deputetët pro Berishës, por edhe ata të cilët e etiketojnë veten si antiberishist, të cilët po mendojnë të krijojnë një formacion të ri politik. 

“Jam larguar nga një grup parlamentar i një partie që është në dorë të Sali Berishës, në të cilën mbizoteron berishizmi. Nëse konsideroni sikurse edhe është në fakt që aty është edhe Lulzim Basha, konsiderojeni që është një shkëputje edhe nga Lulzim Basha”, tha Enkelejd Alibeaj.

Divorci politik i papritur me Lulzim Bashën i dha zë idesë se kishte të bënte me një bashkëpunim të fshehtë mes kryetarit dhe ish-kryetarit të PD-së.

“Nuk jam i prirur ta shoh politikën me intriga dhe konsipracion. Unë jam i prirur ta shoh politikën me akte konkrete dhe akte konkrete kam bërë për sa kohë akti im nuk është bërë nga të tjerë individë, po doni dhe Lulzim Basha, me mjafton vetëm kaq”, u shpreh Alibeaj.

Pak metra nga selia me qira ku qëndron Lulzmi Basha, Enkejeld Alibeaj preferon të mos zbulojë shumë detaje nga  krijesa e re që pritet të krijohet megjithëse i ka idetë e qarta për ideologjinë dhe mënyrën e drejtimit.

“Po qe për dëshirë, dëshira ime është që ky formacion politik do të duhet të prezantohet një orë edhe më parë dhe sigurisht edhe në zgjedhjet e pritshme. Kush do të jetë në krye të këtij formacioni politik do të duhet të ketë parasysh këtë gjë në sfidën më të parë politike nëse s’do të jetë i suksesshëm, do duhet të largohet”, theksoi demokrati.

Lulzim Basha ka vendosur të heshtë për rrjedhjet e deputetëve, duke u fokusuar vetëm te beteja e tij e re për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.