Zbardhet vendimi i Apelit, i cili certifikon atë të Shkallës së parë, lidhur me kalimin te Sali Berisha të vulës dhe logos së Partisë Demokratike, duke ia hequr Lulzim Bashës.

Në argumentimin e vendimit, sqarohet se Lulzim Basha nuk ka bërë kërkesë pranë Gjykatës për tu futur në këtë proces gjyqësor në formën e personit të interesuar, apo ndërhyrësit kryesor apo dytësor (neni 192 dhe 196 i KPC).

Apeli vlerëson se shkresa e sipërcituar nuk është marrë në konsideratë nga gjykata e shkallës së parë, duke mos qenë mjet procedural i parashikuar nga dispozitat Kodit të Procedurës Civile dhe duke mos përbërë një kërkesë në kuptim të ligjit, e cila duhet të shqyrtohej dhe t’i nënshtrohej vendimarrjes nga ana e gjykatës.

Pjesë nga vendimi:

Gjykata e apelit konstaton se Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, i cili pretendon se mbart të drejtat për të përfaqësuar PDSH tek të tretët, nuk rezulton që të ketë bërë kërkesë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tu futur në këtë proces gjyqësor në formën e personit të interesuar (neni 189 dhe 190 i KPC), apo ndërhyrësit kryesor apo dytësor (neni 192 dhe 196 i KPC). Nuk rezulton gjithashtu i provuar fakti, që gjykata e shkallës së parë të ketë thirrur kryesisht në gjykim z.Lulzim Basha në cilësinë e Kryetarit të PDSH sipas nenit 193 të KPC, si dhe ta ketë legjitimuar atë nga pikëpamja formale dhe procedurale si palë në gjykim, edhe pse ky i fundit, i ka drejtuar gjykatës kërkesë me shkrim për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes në shkallë të parë, si dhe pushimin e gjykimit të kërkesës për regjistrimin e vendimeve të marra në Këshillin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021.

Me shkresen Nr. 168/1 Prot., datë 22.12.2021, ish-Kryetari i PDSH Lulzim Basha, ka njoftuar zyrtarisht gjykatën, “se ky grupim personash që i janë drejtuar gjykatës nuk kanë asnjë tagër përfaqësimi si persona të autorizuar për të përfaqësuar PDSH-në dhe për të bërë kërkesa të tilla”, duke shtuar se, “… kjo kërkesë është nga ato kërkesa që gjykohen pa prezencën e palëve dhe ndjekin të njëjtën procedurë me atë të gjykimit të posaçëm të vërtetimit të faktit pasi gjykata vihet në lëvizje vetëm me kërkesë. Në këto kushte gjykata duhet t’i referohet nenit 392 të K.Pr.Civile…”. Kërkesa për të marrë pjesë në proces duhet të kishte ndjekur rregullat proceduriale për ndërhyrje në gjykim, me kërkesë të regjistruar në sekretarinë e gjykatës. Gjykata e apelit vlerëson se me të drejtë shkresa e sipërcituar nuk është marrë në konsideratë nga gjykata e shkallës së parë, duke mos qënë mjet procedural i parashikuar nga dispozitat Kodit të Procedurës Civile dhe duke mos përbërë një kërkesë në kuptim të ligjit, e cila duhet të shqyrtohej dhe t’i nënshtrohej vendimarrjes nga ana e gjykatës.