Dita e sotme pritet të sjellë një tërheqje të lehtë dhe të përkohshme të valës së të nxehtit, mirëpo maksimumet në rang territori do të jenë sërish të larta: 42 gradë.

Ndërkohë e sotmja pritet që të sjellë rrebeshe afatshkurtra shiu në pjesën lindore të territorit shqiptar, por edhe në një pjesë të qyteteve të zonës së ulët, ku përfshihet dhe kryeqyteti. Hakil Osmani nga “MeteoAlb” tha se pritet që në fundjavë të kemi një tjetër rënie të lehtë të temperaturave të ajrit.

Hakil Osmani: Do të ketë një tërheqje të përkohshme dhe të lehtë të valës të të nxehtit, duke bërë që maksimumet ditën e sotme në rang territori të shënohen në 42 gradë Celsius. Temperaturat më të larta parashikohet të shënohen ditën e sotme në qarkun e Beratit dhe të Fierit, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të jetë poshtë 41 gradë Celsiusit.

Në fundjavë kemi një tjetër rënie të temperaturës së ajrit. Ditën e shtunë me 2 gradë Celsius në orët e mesditës duke bërë që maksimumet të zbresin në 40 gradë Celsius dhe një tjetër rënie do të kemi në orët e mesditës së ditës së dielë duke bërë që maksimumet në rang territori të jenë në vlerën 38 apo 39 gradë Celsius.

Orët e para të mëngjesit mbeten disi të larta temperaturat e ajrit duke bërë që vlerat minimale në qytetet e zonave malore të jenë 17 apo 18 gradë Celsius, ndërsa në Ultësirën Perëndimore të luhaten nga 20 deri në 26 gradë Celsius përgjatë vijës bregdetare.

Dita e sotme ka nisur nën mbizotërimin e diellit. Do të jetë deri në orët e mesditës me këto kushte atmosferike, por parashikohet që pjesa e dytë e ditës dhe kryesisht orët e pasdites të sjellin zhvillime të përkohshme të vranësirave duke bërë që të kemi prezente rrebeshet afatshkurtra të shiut në gjysmën lindore të territorit shqiptare duke përfshirë këtu pothuajse të gjitha shtrirjen Lindore, por gjithashtu edhe një pjesë të qyteteve të zonës së ulët, duke përfshirë këtu edhe kryeqytetin do të kemi rrebeshe afatshkurtra ditën e sotme.

Fundjava sjell një mot më të qëndrueshëm. Ditën e shtunë pritet që të kemi reshje të izoluara shiu në orët e pasdites, por të fokusuara vetëm në zonat lindore dhe në zona më të izoluara, ndërsa dita e dielë sjell një mot më të qëndrueshëm, duke bërë që të kemi intervale të gjata me diell, nuk priten reshje.