Aktorja Jennifer Aniston ka kritikuar senatorin amerikan JD Vance për komentet që ai ka bërë pak vite më parë, për gratë politikane që nuk kanë fëmijë.

Aniston ndau një intervistë të kandidatit për zëvendës President të Donald Trump, Vance, në një postim në Instagram, të realizuar në vitin 2021, në një emision të Fox News, ku në atë kohë ai ishte kandidat për Senatin e Ohajos. Aty senatori ka thënë se Shtetet e Bashkuara po drejtoheshin nga “një grup zonjash që kanë mace dhe jo fëmijë që janë mjerane në jetën e tyre dhe me zgjedhjet që kanë bërë dhe kështu duan ta bëjnë të mjerë edhe pjesën tjetër të vendit”. 

Ai merr shembull kandidaten demokrate për zgjedhjet presidenciale, Kamala Harris, për të cilën thotë: “Është fakt që Kamala Harris, Pete Buttigieg, AOC, e gjithë e ardhmja e demokratëve kontrollohet nga njerëz pa fëmijë. Nuk bën sens që ne ia kemi kemi dorëzuar vendin tonë njerëzve që realisht nuk kanë një interes në të?”

Në përgjigje aktorja shkruan: “Unë me të vërtetë nuk mund ta besoj se kjo thuhet nga një zëvendëspresident i mundshëm i Shteteve të Bashkuara.”

Aniston, e cila zakonisht e mban private jetën e saj personale, ka folur publikisht për problemet e saj me fertilitetin, ka shkruar gjithashtu dy fjalë për qëndrimin e ekstremistit të djathtë për të drejtat riprodhuese.

“Gjithçka që mund të them është… Zoti Vance, lutem që vajza juaj të ketë fatin të lindë fëmijët e saj një ditë. Shpresoj se ajo nuk do të ketë nevojë t’i drejtohet IVF si një opsion të dytë. Sepse ti po përpiqesh t’ia heqësh edhe atë asaj”, shkroi Aniston në postimin e saj.

Në vitin 2022, Aniston tregoi për herë të parë se ajo luftoi me fertilitetin dhe iu nënshtrua IVF (fekondimi in vitro). “Po përpiqesha të mbetesha shtatzënë. Ishte një rrugë sfiduese për mua, rruga e krijimit të foshnjave,” ka thënë ajo ndër të tjera.