Ne nje postim ne Facebook kandidati socialist per bashkine e Himares Vangjel Tavo ka reaguar ne lidhje me disa spekulime. Himarjotët do flasin gjuhën e të parëve të tyre. Këtë nuk e përcakton asnjë individ, asnjë grupim, asnjë bashki. Askush. Gjuha e Himarës është e himarjotëve dhe në Himarë do flitet gjuha që himarjotët flasin nga të parët e tyre. Ashtu siç e kam shprehur publikisht, vazhdimisht, por edhe specifikisht gjatë javëve të fundit në median greke dhe atë shqiptare, hapur dhe me bindjen time të plotë, deklarata të cilat gjenden lehtësisht në internet, në median sociale dhe atë të shtypur, gjuha nuk i ndan njerëzit, kombësia duhet t’i bashkojë njerëzit. Nuk duhet të ketë ndarje. Të gjithë politikanët duhet të kontribuojnë për bashkimin.-tha Tavo
KOMUNIKIM PUBLIK
Duke ju uruar një të dielë të mbarë e të bukur, po ju adresohem me këtë mesazh duke marrë shkas nga një ndodhi e sajuar dhe e keqpërdorur prej disave në një nga takimet e mia me njerëzit në fshatin Tërbaç ku u shtrua nga një prej të pranishmëve një koment mbi përdorimin e gjuhës në Himarë, e cila bëri jehonë në disa media greke.
Atyre të cilëve e përgatitën, e shfrytëzuan dhe e keqpërdorën këtë gjë, sikurse edhe opinionit publik në tërësi, dua t’u jap një përgjigje përfundimtare dhe shteruese mbi këtë çështje.
Vangjel Tavo është ky që është. I vërtetë dhe konsistent në bindjet dhe qëndrimet e mia. Dhe e kam treguar veten, jo sot, por prej 30 vitesh te grekët dhe shqiptarët.
Himarjotët do flasin gjuhën e të parëve të tyre. Këtë nuk e përcakton asnjë individ, asnjë grupim, asnjë bashki. Askush. Gjuha e Himarës është e himarjotëve dhe në Himarë do flitet gjuha që himarjotët flasin nga të parët e tyre. Ashtu siç e kam shprehur publikisht, vazhdimisht, por edhe specifikisht gjatë javëve të fundit në median greke dhe atë shqiptare, hapur dhe me bindjen time të plotë, deklarata të cilat gjenden lehtësisht në internet, në median sociale dhe atë të shtypur, gjuha nuk i ndan njerëzit, kombësia duhet t’i bashkojë njerëzit. Nuk duhet të ketë ndarje. Të gjithë politikanët duhet të kontribuojnë për bashkimin.
Gjuha nuk duhet të na ndajë por duhet të jetë një mjet dhe realitet i patjetërsueshëm bashkimi, si shembull i harmonisë dhe afrimit midis njëri-tjetrit në komunitet. Ky është edhe një nga qëllimet e mia në drejtimin e Bashkisë Himarë, duke vënë në shërbim përvojën time 30 vjeçare, e cila siç e ka treguar koha ka qenë tejet e dobishme për të forcuar frymën e bashkëpunimit, paqjes, bashkimit dhe zhvillimit në Himarë.
Qëndrimet e mia në lidhje me Himarën apo edhe kontributi im i ditur tashmë publikisht në momentet kyçe kanë qenë të qarta dhe publike.
Po e shpreh këtë mesazh edhe një herë qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse nuk e kemi luksin e as kohën, nuk e ka askush, as himarjotët e as familjet e thjeshta, që të merremi me spekullime të nxitura prej disa individëve përçarës, të cilët për përfitime të vogla individuale politike, cenojnë frymën e bashkimit që meriton, ka patur, ka, e do të ketë përgjithmonë Himara.
Nuk e kemi kohën dhe as nuk mund të shpenzojmë energji të kota me spekulantë të vegjël, ndërkohë që sfida të mëdha e shumë punë na pret përpara, në shërbim të njerëzve të thjeshtë dhe për zhvillimin dhe të ardhmen e bashkuar, të paqtë dhe të begatë të Himarës.
Vangjel Tavo