Situata në Shëngjin sa vjen dhe bëhet më alarmante, pasi era e fortë favorizon përhapjen e flakëve me shpejtësi.

Një ‘beach bar’ dhe çadrat e një resorti po digjen aktualisht, ndërkohë që flakët rrezikojnë hotelin që ndodhet shumë pranë vatrave të zjarrit.

Forcat zjarrfikëse janë prej orësh në luftë me flakët, që po vijojnë të hapen me shpejtësi të madhe edhe në zonën e rrugës Shëngjin-Velipojë, po ashtu është aktivizuar një tjetër vatër zjarri e re në anën tjetër të malit.

Edhe pse po punohet nga toka dhe ajri, situata mbetet kritike në këtë zonë, ku zjarri po afrohet dhe pranë disa bizneseve dhe banesave.