Të dielën qytetarët e Himarës do të votojnë për kryebashkiakun e ri. KQZ ka dërguar materialet zgjedhore në Himarë. Sot është dita e fundit e fushatës, ndërsa nesër dy kandidatët për kryebashkiak i lënë vendin heshtjes zgjedhore. 

Në Bashkinë e Himarës do të kryhet vetëm identifikimi elektronik, ndërsa qendrat e votimit do të jenë të pajisura me kamera sigurie.

“Në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor, baza materiale për 36 qendrat e votimit u dërgua ditën e sotme nga KQZ Shqiperi në bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme. Së bashku me kutitë e votimit, fletët e votimit dhe dokumentacionin e punës për komisionet zgjedhore, u dërguan edhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI), kamerat monitoruese që vendosen në qendrat e votimit, kamerat regjistruese/monitoruese që vendosen në tavolinat e numërimit të votive (VNV). KQZ ka menduar edhe për zgjedhësit që nuk shikojnë, duke siguruar shabllonin e fletës së votimit me alfabetin Braille në çdo qendër votimi”, shkruan KQZ në një postim në rrjetet sociale. 

Materialet zgjedhore do të shpërndahen drejt 36 qendrave të votimit gjatë orëve të para të ditës së dielë, në mënyrë që të gjithë qendrat e votimit të jenë gati për qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës në datën 4 gusht 2024.

23 mijë e 74 qytetarë të Himarës do t’i drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur mes Vangjel Tavos dhe Petro Gjikurisë kryebashkiakun e Himarës duke i dhënë fund sagës së drejtimit të Bashkisë pas arrestimit të kryetarit të zgjedhur Fredi Belerit e disa muaj pas tij edhe kryetarit në detyrë Jorgo Goro.