Vapë ekstreme që u përjetua këtë verë në zonën e Mesdheut, mund të kthehet në të ardhmen në një normalitet, paralajmërojnë ekspertët.
Rajoni është i prekur drejtpërdrejt nga ndryshimet e klimës dhe gjasat për valë të nxehti, si kjo aktualja janë shtuar ndjeshëm si pasojë e ndryshimit të klimë.
Ky është përfundimi i analizës që bën organizata joqeveritare amerikane, Climate Central, sipas të cilës, probabiliteti për temperaturat mjaft të larta, si ato të tanishmet në Greqi, është rritur pesë here.
Greqia llogaritet të jetë përballur sivjet me korrikun më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve me 14 ditë radhazi temperatura që kanë kaluar 40 gradët.
Edhe tani dyjavëshin e fundit të gushtit, ka pasur temperatura mesatarisht 3-6 gradë më të larta se më parë jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, Itali dhe Francë. Ndërsa në Kroaci, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Austri dhe Hungari temperaturat e pritshme shënojnë 6-10 gradë më lart se mesatarja e mëparshme.
Këtë verë në Greqi 5 turistë humbën jetën për shkak të vapës përvëlues. Turistët shtegtarë nuk ishin të pajisur si duhet për temperaturat ekstreme.
Ekspertët paralajmërojnë nga mos vlerësimi sa duhet i nxehtësisë. Ata thonë se temperaturat e larta kanë efekt të fortë në tru dhe mund të çojnë në disorientim dhe vendime të gabuara duke ndikuar edhe në vlerësim të gabuar të rreziqeve.