Greqia është përballur këtë verë me 50% më shumë zjarre sesa vitin e kaluar, e pohuar kjo nga një zëdhënës i qeverisë greke.
Një vale të hershme të nxehti përvëlues dhe dimrit më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në vend, i shtohet dhe një nivel i paprecedent zjarresh që kanë shkatërruar zona të tëra në verilindje të Athinës.
Zëdhënësi Pavlos Marinakis njoftoi se që nga fillimi i muajit maj, zjarrfikësit janë përballur me rreth 4.000 zjarre, një rritje prej 50 për qind krahasuar me vitin 2023. Më i madhi prej tyre ishte ai i 11 gushtit që shpërtheu pranë qytetit historik, Maratona, 40 kilometra në verilindje të Athinës.
Flakët e nxitura nga erërat e forta, zhuritën 10.000 hektarë tokë, i morën jetën një gruaje dhe detyruan me mijëra vetë të braktisnin në panik shtëpitë e tyre.
Opozita kritikon qeverinë për keqmenaxhim të situatës. Javën e kaluar, kryeministri grek Kyrikakos Mitsotakis, u përball me protesta të banorëve të zemëruar teksa ai vizitoi zonat e prekura nga zjarri dhe u përpoq të mbronte reagimin e autoriteteve u deshën vetëm 5 minuta që avionët të angazhoheshin në shuarjen e zjarreve dhe vetëm 2 minuta që të mobilizoheshin më shumë forca në tokë.
Shkencëtarët nga ana tjetër argumentojnë se përkeqësimi i gjendjes duhet kërkuar edhe tek ndryshimet klimatike e kujtojnë se emetimet e karburanteve fosile po përkeqësojnë gjatësinë, shpeshtësinë dhe intensitetin e valëve të të nxehtit në mbarë botën.