Edvin alias Andrew Bode, i dyshuar si autori i vrasjes së Edmond Papës në dhjetor të vitit 2022, është arrestuar në Memaliaj.

45-vjeçari i shpallur në kërkim, fshihej në banesën e Julian Kalemit, që po ashtu u vu në pranga nga policia. Ndërsa gjatë operacionit, efektivët gjetën armë në shtëpinë e të afërmit të Julian Kalemit, Andrea alias Adriatik Kalemi, që mbante në shtëpi 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Ndërkohë, për Edvin alias Andrew Bode, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Andrew Bode, në bashkëpunim me dy të tjerë, dyshohet se ekzekutuan Edmond Papën. Disa ditë pas ngjarjes, u arrestua një nga autorët, 30-vjeçari Alban Velo, ndërsa Andrew Bode u arratis. Viktima, pronar i një lokali në Sarandë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, u plagos disa herë me armë zjarri teksa po frekuentonte një bar-kafe në zonën e Selitës. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës, por nuk arriti dot t’i shpëtonte plagëve të marra duke ndërruar jetë.

KOMUNIKATE E POLICISE

Lokalizohet në Memaliaj, kapet dhe vihet në pranga një 45-vjeçar nga Tirana, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i kërkuar për vrasje.

Gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas që strehonte në banesë, në Memaliaj, të kërkuarin.

Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas tjetër, të cilit bazuar në inteligjencën policore, iu krye kontroll në banesë, ku iu gjetën armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Strukturat e Hetimit të Krimit të DVP Gjirokastër, bazuar në inteligjencën policore, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për vrasje dhe të një shtetasi tjetër që dyshohej se posedonte arsenal armësh në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA”, operacionin policor të koduar “Plani”.

Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Memaliaj, në banesën e shtetasit J. K., Policia kapi dhe arrestoi shtetasin e shpallur në kërkim E. B alias A. B., 45 vjeç, banues në Tiranë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit E. P..

Në vijim të veprimeve proceduarale, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin J. K., 42 vjeç, i cili ka strehuar shtetasin në kërkim.

Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Poclicisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Shtetasi A. K., 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vijon.