Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeff Hovenier bëri homazhe pranë përmendores së kushtuar personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, ku kërkoi nga institucionet dhe zyrtarët që të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të zgjidhin këtë çështje kyçe në dialogun e ngecur mes saj e Serbisë.

“Në këtë ditë ndërkombëtare të viktimave të zhdukurve me forcë, iu bashkova kryeministrit Kurti dhe kolegëve të trupit diplomatik për të shprehur respekt për familjet e pikëlluara kosovare që presin lajmin për më të dashurit e tyre të zhdukur. Ne përsërisim thirrjen tonë për institucionet dhe zyrtarët që të tejkalojnë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur”, shprehet ambasadori i SHBA-së.

Hovenier i la mënjanë rezervat që ka ndaj kryeministrit Kurti e qeverisë së tij lidhur me lëvizjet e tyre të fundit në veri të Kosovës.

Kreu i misionit diplomatik amerikan paralajmëroi hapur pak kohë më parë se SHBA jo vetëm nuk e mbështet, por përkundrazi e shikon si rrezikshme idenë e hapjes së urës në Mitrovicë në këtë kohë, duke nënvizuar se kjo mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Megjithatë, në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me forcë, apeli i tij ishte për të drejtën e për më shumë drejtësi për këta njerëz, e për familjarët e tyre, qe ende edhe sot, janë pa përgjigje.