Kombëtarja e shqiptare luan sot ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve dhe të parën e erës Sylvinho 2, pas suksesit që patëm në debutimin e trajnerit Brazilian në stolin kuqezi me kualifikueset e Europianit dhe paraqitjen pozitive në finalet e Gjermani 2024.

Ekipi ynë përfaqësues luan përballë Ukrainës në transfertën asnjanëse të Pragës, duke qenë se në vendin e kundërshtarit tonë prej mëse dy vitesh nuk zhvillohen aktivitete për shkak të luftës me Rusinë.

Por, ky start i edicionit të ri ka disa dilema dhe probleme që lidhen me aspektin e gjendjes së lojtarëve, dëmtimet dhe formën jo optimale që e përmendi dhe vetë trajneri në konferencën e djeshme për shtyp.

Sa i përket formacionit që mund të zbresë sot në fushë duket se do të ketë disa ndryshime nga ai standardi nisur edhe nga mungesat kryesisht në repartin e mbrojtjes. Kështu në portë pritet ta nisë Tomas Strakosha, ndërsa qendra e mbrojtjes do të jetë dyshja Ismajli-Kumbulla, dy lojtarë që kanë shumë muaj për të mos thënë vite që nuk luajnë bashkë, duke qenë se gjithmonë pika fikse e qendrës së mbrojtjes ka qenë kapiteni Gjimshiti, që mungon për shkak dëmtimi.

Nga krahët janë të përhershmit Mitaj dhe Hysaj. Ndërkohë që skema që pritet të përdorë trajneri është e ngjashme me atë të ndeshjes kundër Kroacisë, me Lacin Asllanin dhe Ramadanin në mesfushë dhe dy krahët më të avancuar Asani – Bajrami që do të mbështesin sulmuesin Rei Manaj.

Shqipëria me Ukrainën është ndeshur 4 herë, prej të cilave 3 fitore janë për Ukrainën dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim, por vetëm 2 prej tyre kanë qenë ndeshje zyrtare, dy të tjerat miqësore. Edhe për mbrëmjen e sotme kompanitë e basteve konsiderojnë si favorite skuadrën kundërshtare të Shqipërisë, megjithatë gjithçka mbetet për tu parë në fushën e lojës duke filluar nga ora 20:45 kur Digitalb do të përcjellë drejtpërdrejtë emocionet nga “Epet Arena” e Pragës.