Një 44-vjeçar shqiptar ka rënë në rrjetat e bazës ndërkombëtare të të dhënave të ADN, për një ngjarje të ndodhur në vitin 2008 në Mesinia të Greqisë, që lidhet me kultivimin e kanabisit.

Në atë kohë, një plantacion jetim në zonën e Trifilisë u identifikua me 1790 fidanë kanabis. Rasti mbeti i pazgjidhur dhe 16 vjet më vonë, autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar e arrestuan atë kur ADN e tij u identifikua në bazën e të dhënave të mbajtur nga forcat policore ndërkombëtarisht. Hetimet e Prokurorisë së Narkotikëve dhe Departamentit të Hetimeve Penale të Kalamatës dhanë frytet e tyre me identifikimin e 44-vjeçarit për megaplantacionin 16 vite më parë.

Sipas policisë greke, “në lidhje me zbulimin e një plantacioni me fidanë kanabisi në Mesini më datë 2.9.2008, në kuadër të eksplorimit nga ajri të zonave të dyshimta, me përdorimin e mjeteve ajrore të policisë dhe sekuestrimin e një totali prej 1790 fidanë kanabis, gjithashtu, në kuadër të hetimeve të vazhdueshme policore të kryera, është identifikuar një kultivues.

Duke përdorur provat e duhura dhe të kombinuara, si dhe rezultatet e metodave fizike dhe shkencore, u identifikua 44-vjeçari shqiptar, i cili ishte aktiv në kultivimin e bimëve të kanabisit dhe tashmë ndodhet i burgosur në një qendër paraburgimi në Mbretërinë e Bashkuar”.