Pa sheshuar ende dilemat dhe pakënaqësitë e brendshme për ekipin e 12 drejtuesve politikë të qarqeve, Partia Demokratike ka nisur prezantimin e tyre në bazë.

Në mungesë të Sali Berishës që tashmë është zyrtarisht i pandehur nga SPAK, prezantimi është bërë nga 2 të besuarit Noka e Paloka që Berisha gjithashtu i ka besuar dirigjimin e fushatës në mungesë të tij.

Drejtuesi i ri politik i Qarkut të Korçës Ivi KASO, zhvilloi një tur takimesh në pesë degët e PD-së, ku u prezantua me strukturat e opozitës. Përballjen me kundërshtarin Niko Peleshi, e komentoi si përballje filozofish dhe jo emrash.

Ndërkohë një ditë më parë në Fier u prezantua edhe Gazmend Bardhi, ku megjithë socialistët do të duhet të llogarisë edhe votat e influencën politike që demokrati Enkelejd Alibeaj, i divorcuar përfundimisht me PD,

“Fieri ishte ndalesa e parë në takimin prezantues me strukturat drejtuese të degës.  Fieri ka qindra arsye për të mbështetur ndyshimin, por mbi të gjitha, se kurrë nuk ju kthye besimi i madh që i kanë dhënë ndër vite partisë në pushtet. Në vend të mirënjohjes, qytetarët e ndershëm e punëtorë të Fierit u përballën gjatë gjithë këtyre viteve me arrogancën, varfërinë dhe korrupsionin në çdo sektor” shkruajti Bardhi pas takimit prezantues.

PD i zyrtarizoi më 4 shtator 12 drejtuesit politikë të saj. I pari që zbarkoi në terren ishte Ervin Salianji që iu besua drejtimi i Elbasanit, Tirana iu la Belind Këlliçit, Durrësi Oerd Bylykbashit, Shkodra Luçiano Boçit, Lezha Agron Gjekmarkajt, Fieri Bardhit, Korça Ivi Kasos, Kukësi Flamur Hoxhës, Gjirokastra Tritan Shehut, Vlora Bujar Leskajt ndërsa Berati e Dibra Eno Bozdos e Xhelal Mziut.