Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi reagoi për mediat në lidhje me hetimin e SPAK për dy tenderat.
Celibashi: Personalisht kam 0 shqetësim si për veten time, por edhe për këdo tjetër nga KQZ të angazhuar në këtë proces. Mendoj se nuk do të kishte dobi çfarëdo që të them unë, pasi në fund është dikush tjetër që jep vlerësimet edhe për këtë rast. Procesi ka të gjithë legjitimitetin në çdo pikëpamje.
Në gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dorëzoi në zyrat e Prokurorisë së Posaçme të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me prokurimet dhe procesin e votimit elektronik dhe numërimit elektronik të zhvilluara në zgjedhjet e fundit.
Si dhe për tenderin që ka përzgjedhur kompaninë që ka krijuar sistemin e identifikimit elektronik të zgjedhësve.
SPAK i kishte dërguar KQZ më datë 16 gusht këtë dokument që mban firmën e drejtuesit të prokurorisë Altin Dumani.
Kërkesa është pjesë e një hetimi të Spak pasi janë gjetur fakte dhe indicie nga hetimi i të tjera ngjarjeve dhe personave që kanë ngritur dyshimet për shkelje ligji.
Zyrtarisht nga KQZ nuk ka asnjë njoftim për këtë hetim, ndërkohë që komisioni i është përgjigjur shumë shpejt kërkesës së Spak. Ndërsa prokuroria speciale nuk ka dhënë asnjë shpjegim se kush dhe pse po hetohet procesi i zgjedhjes së kompanive që realizuan sistemin e identifikimit të zgjedhësve si dhe votimin dhe numërimin elektronik.