Mbi një ton lëndë narkotike u sekuestruan një ditë më parë, në një aksion policor në Kosovë.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë, droga kapte vlerën mbi 5 milionë euro. Në pranga ra një person, ndërsa u shpallën në kërkim gjashtë të tjerë.

“Këto dy lokacione ku kemi bërë veprime hetimore janë lokacione të përmasave të mëdha të kultivimit të kanabisit. Jemi në fazën e përpunimit të vendit të ngjarjes dhe në vlerësimet tona, sasia dhe vlera mund të dalin më të mëdha. Njëra nga plantacionet ka qenë e rritur në nivelin ku konsiderojmë se një bimë kanabisi mund të japë produkt të marihuanës gjysmë kilogrami. Ka qenë hetim i gjatë, mbi dy muaj, i koordinuar me njësitet respektive të Policisë. Një person është i arrestuar, shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë në cilësinë e punëtorit për këto dy parcela. Kemi edhe persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në fazën e kërkimit dhe identifikimit. Për këta nuk kemi detaje të tjera”, njoftoi Policia.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një reagim pas aksionit, u shpreh se goditjet ndaj këtij fenomeni rezultojnë të suksesshme kur janë të njëpasnjëshme e të pandërprera, ndërsa shtoi se vendi i kriminelëve është pas hekurave.

“Përgëzoj Njësitin e Antidrogës në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë për aksionin e suksesshëm të sekuestrimit të mbi një ton substancë narkotike të llojit marihuanë. Goditjet ndaj këtij fenomeni rezultojnë të suksesshme kur janë të njëpasnjëshme e të pandërprera. Siç kam thënë pas goditjes së laboratorit tjetër rreth një javë më parë, prapa grilave është vendi i kriminelëve që merren me veprimtari të tilla”.