Ftesa për qeverinë shqiptare për të paraqitur dokumentin për “Pozicionin Negociues për Grupimin e parë të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE” ka ardhur nga Presidenca Hungareza e Këshillit të BE- së nëpërmjet një letre të datës 25 shtator.
Qeveria i ka përcjellë këtë letër Kuvendit duke kërkuar që të angazhohet për të miratuar dokumentin negociues me të cilin ajo do të paraqitet në këtë mbledhje ndërqeveritare.
Letra e qeverisë, të cilën BIRN e ka parë, kërkon shqyrtimin “me prioritet të lartë” me procedurë të përshpejtuar nga komisioni parlamentar për Çështjet Europiane të draft-dokumentit të përgatitur nga Grupi Negociator, në bazë të Raportit Screening të Bashkimit Evropian.
Një vit më parë Kuvendi miratoi dispozita të reja ligjore që parashikojnë procedura dhe afate për shqyrtimin e pozicioneve negociuese, duke e detyruar ministrin përgjegjës që të mbajë të informuar Kuvendin dhe të marrë në konsideratë çdo rekomandim që i vjen nga komisioni parlamentar mbi pozicionet negociuese.
Kryeministria i tha BIRN-it se “nuk ka komente për momentin” për letrën dhe se çfarë pritet të ndodhë në vijim me procesin e integrimit.
Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, nuk komentoi mbi letërkëmbimin duke e cilësuar një procedurë konfidenciale, por i tha BIRN-it se Shqipëria është e vonuar në këtë proces për shkak të mosplotësimit të kritereve.
“Është fatkeqësi që Shqipëria ka humbur 10 vite të gjata pritje si rezultat I mosplotësimit të kritereve dhe dy vite të tjera të gjata pritjeje si rezultat I ngritjes së çështjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sepse kjo është edhe arsyeja kryesore sepse dy vitet e fundit Shqipëria nuk ka avancuar dot në këtë proces si rezultat I zbatimit të shtetit të së drejtës”, komentoi ajo për BIRN.
Tabaku shtoi se si përfaqësuese e opozitës kishte mbështetur procesin e Integrimit duke gjykuar që ky hap duhet të kishte ndodhur kohë më para.
“Opozitës i intereson hapja e negociatave sepse do të fillojë pikërisht me kapitullin e parë që lidhen me çështjen e drejtësisë, të antikorrupsionit, të luftës ndaj krimit të organizuar, të të drejtave të njeriut, të drejtat fondamentale ku bëjnë pjesë edhe zgjedhjet, që kanë qenë pengesa kryesore në këtë proces”, tha ajo.
Tabaku pranon se vendimi për të avancuar Shqipëria është duke u marrë me vendimin që Maqedonia e Veriut nuk do të lëvizë me në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare dhe kjo sjell pasoja për rajonin e Ballkanit.
Nënkryetarja socialiste e komisionit Etilda Gjonaj nuk qe e arritshme për një koment mbi çështjen.
Ekspertët e shohin veçimin e Shqipërisë në procesin e Integrimit si shtim të detyrimeve ndaj vendit tonë për të përmbushur detyrimet që lidhen me çeljen e negociatave për kapitujt themelore.
“Me nisjen e negociatave procesi do të intensifikohet edhe më shumë, dhe do të kërkohet një angazhim shumë i madh i administratës publike për të ndërmarrë e zbatuar reformat e kërkuara, po gjithashtu dhe politikës, grupeve të interesit e shoqërisë civile”, i tha BIRN-it, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania”.
Ai shtoi se edhe “monitorimi i këtyre reformave nga BE do të jetë më intensiv dhe i vazhdueshëm”.
Sipas Gjipalit nëse BE vendos të hap rrugën për mbajtjen e Konferencës së dytë ndërqeveritare dhe nisjen e negociatave për Grupimin e parë të kapitujve të lagjislacionit të BE-së kjo e bën Shqipërinë vendin e tretë në Ballkan me një status të tillë pas Malit të Zi dhe Serbisë.
“Miratimi përfundimtar bëhet nga Këshilli i Ministrave të BE-së, por hapja e dritës jeshile me unanimitet nga Ambasadorët tregon që nuk ka më pengesa nga vendet anëtare”, tha ai./ BIRN