Gazetari Artan Hoxha qëndroi gati 3 orë në SPAK, ku u thirr në lidhje me hetimin e “21 Janarit” në cilësinë e personit që ka dijeni.

Ai dorëzoi në këtë prokurori audio-përgjimin e marrë nga komunikimi në radio mes Gardës së Republikës së Shqipërisë më 21 janar 2011.

Në një deklaratë për mediat, Hoxha u shpreh se në materialin që dorëzoi, del në pah se kush ishte zinxhiri komandues i Gardës, ditën kur në 21 janar 2011 u vrana 4 protestues. Sipas tij, urdhri ka ardhur me gjakftohtësi nga qeveria.

Materiali shërben për të identifikuar kush është zinxhiri komandues i Gardës dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do të vlerësojë më pas sa i vlefshëm është ai audioregjistrim. Jo vetëm ka qenë me urdhër, por urdhër ka ardhur më lart me gjakftohtësi më të madhe, ashtu sikurse erdhi dhe urdhri për të ndaluar. Nëse zjarri do të zgjaste sikur 30 sekonda më shumë, aty do të ishte bërë masakër shumë më e madhe se sa u bë”.

Sipas gazetarit, kjo është mundësia e fundit për të zbardhur tragjedinë e 21 janarit.

“Për mua, nëse nuk zbardhet as këtë radhë, nuk ka për t’u zbardhur më. Provat u prishën që në momentin që ndodhi ngjarja. SPAK tani është më ndryshe, e ka ma të lehtë të thërrasë zyrtarë të lartë. Kam identifikuar dy të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e Gardës, por kjo u përket hetimeve”, tha ai.

Qëllimi final i gjithë kësaj lëvizjeje është për të marrë një përgjigje se kush e dha urdhrin për të qëlluar në drejtim të protestuesve, ku si pasojë katër persona humbën jetën. Ky audio-përgjim i përfituar mes pjesëtarëve të Gardës dhe vartësve të tyre është bërë publik për mediat prej gati një viti, por nuk është dorëzuar në autoritete, pasi vetë familjarët e Aleks Nikës kanë kërkuar që ky material të dorëzohet vetëm në SPAK.