Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare ish-futbollisti i shquar i Kombëtares dhe Luftëtarit të Gjirokastrës,
Sefedin Braho.I datëlindjes 1953, me një karrierë të nisur në vogëli, duke luajtur me shokët e lagjes “Punëtore” në fushën e vjetër të qytetit.
Talentin ia evidentojnë që në klasën e tetë në shkollën “29 Nëntori”, por Braho i vogël nuk kishte dëshirë dhe e refuzon interesimin, madje dëshironte më shumë të luante basketboll. Ndërkohë familja, jo me traditë sportive, nuk e pengonte të merrej me sport.
Jo shumë i gjatë, i hollë dhe me një fizik karakteristik, janë trajnerët Zisi Cabeli dhe Foto Xhai, që i projektojnë të ardhmen. Fillimisht e aktivizojnë me të rinjtë, si sulmues krahu, për ta kaluar në skuadrën e parë të Luftëtarit me trajner Xhain. Është viti 1970, ka moshë shumë të re. Vetëm 17 vjeç, dhe aty do të gjejë K.Caron, K.Zilen, C.Ndojën, I.Brahon, M.Kurtin. Këtu fillon edhe karriera e tij. Dy vjet me Luftëtarin, pastaj transferimi në Tiranë…
Te Partizani dhe debutimi kundër Luftëtarit
Braho erdhi te Partizani i shumëpritur, por në të vërtetë dëshirën e kishte të qëndronte në Gjirokastër, pranë familjes. Ishte shërbimi i detyruar ushtarak që do e transferonte në kryeqytet në klubin e famshëm, ku si trajnerë gjen Kolec Krajën, Ilia Shuken, por edhe futbollistë kalibri me Panon në krye. Kthehet në Gjirokastër, por si lojtar i Partizanit në takimin e parë zyrtar. Është shtator i vitit 1970 dhe kundërshtari do të ishte skuadra e tij. Rezultati është shumë i thellë: Luftëtari-Partizani 0-6. Një debutim më të hidhur nuk ka. Gjirokastriti i famshëm, i vetmi që u largua me dëshirë nga Partizani Sefedin Braho, “shigjeta” shqiptare që refuzoi një milion dollarë nga Sëlltiku Si i shpëtoi dënimit nga Partia një ndër lojtarët më të shpejtë në histori.
Largimi me dëshirë nga klubi
Dy vjet dhe asnjë ditë më shumë. Ky ka qenë limiti kohor dyvjeçar i qëndrimit të Brahos në klubin e kuq. Sefedin Braho është i vetmi futbollist që, si asnjë tjetër, erdhi, luajti dhe u largua nga Partizani me dëshirën e tij. Ndërsa të gjithë e kishin ëndërr të luanin e të qëndronin me klubin ushtarak, pasi fama dhe karriera e një lojtari mund të startonte shumë mirë nga ky klub, për Brahon e kundërta. Lidhja me familjen, mospërshtatja me mjedisin kryeqytetas, rikthimi në ish-klubin ku gjen Ishkën dhe Kokalarin si trajnerë, janë disa nga arsyet. Kur u përgatit largimi i tij, u duk disi e pabesueshme që Braho do të linte Partizanin. Por, ashtu siç erdhi pa zhurmë e bujë, ashtu edhe u largua. Asnjë tentativë nga ushtarakët e kohës për ta mbajtur me Partizanin. Kjo skuadër nuk do ta harronte dhe do ta thërriste si përforcim në disa takime ndërkombëtare vite më vonë.
Kartoni i kuq, i pari dhe i vetmi
Luhet në Vlorë, ndeshje kampionati. Braho është kapiten i skuadrës. Arbitër i takimit është shkodrani Tef Prela. Luhet pjesa e dytë dhe rezultati është 1-1. Një ndërhyrje e rëndë ndaj Brahos është shoqëruar me reagimin e ashpër të tij. Si rrallëherë. Edhe pse ishte viktimë sistematike e ndërhyrjeve të rënda të kundërshtarëve, nuk reagonte. Por, në Vlorë nuk mundi të rezistojë dhe të heshtë. Dhe, nga xhepi i arbitrit Prela ka dalë menjëherë kartoni i kuq ndaj tij. Ishte i pari, por edhe i fundit. Ndeshja përfundoi 4- 1 për Flamurtarin, që fitoi ndaj Luftëtarit të mbetur me dhjetë futbollistë në fushë. Ky ka qenë dhe mbetet i vetmi ndëshkim që ai ka marrë, pasi ka qenë simbol i lojës e sjelljes korrekte.
Në Kombëtare nga Alla te Konçi
Nëntë ndeshje dhe një gol me Kombëtaren. Ky është bilanci i Brahos me fanellën kuqezi. Ka luajtur kur ishte me Partizanin, por edhe kur luante me Luftëtarin. I marrë nga Myslym Alla në ndeshjen e gjashtë majit 1973 në Tiranë ndaj Rumanisë 1-4. Pastaj me Ilia Shuken në dy takimet pasardhëse: me Finlandën 1-0 dhe RD Gjermane 1-4 dhe, pas shtatë vitesh bashkë me rikthimin e futbollit shqiptar në kompeticionet europiane, rikthehet edhe Braho në përfaqësuese. Katër takime me trajnerin Zyber Konçi, madje në Tiranë ndaj Finlandës në vitin 1980 realizon golin e parë në fitoren 2-0. Dhe, takimi i fundit po në vitin 1980, në Tiranë ndaj Austrisë 0-1. Me klubet ka qenë një ndër futbollistët e marrë si përforcim në disa takime. Spikatin ato të Partizanit ndaj Sëlltikut, Rijekës dhe Malmos. Por, edhe Dinamo e ka marrë kur luajti kundër Aberdinit në kohën kur trajner ishte Bahri Ishka.
Testi “Kuper”, sa problem për Brahon
Testimet kanë qenë shumë problem për Brahon, pasi asnjëherë nuk i ka përfunduar ato. Në prag të çdo sezoni futbollistik, FSHF organizonte testimet fizike për çdo skuadër pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë. Në to përfshiheshin garat e shpejtësisë, disa norma teknike dhe në mbyllje ishte programuar testi “Kuper”: 12 minuta vrapim dhe norma e realizimit ishte minimalisht 3200 metra. Kishte futbollistë që realizonin deri edhe në 4200 metra, por në përgjithësi të gjithë vuanin në këtë test. Njëri prej tyre ishte edhe Braho. Bënte vetëm xhiron e parë, ose edhe të dytën dhe nuk vazhdonte më. Një çështje psikologjike e frenonte dhe ai e linte garën. Sipas një rregulli të FSHF-së, ai që nuk realizonte testimet, s’luante në kampionat deri në një testim të dytë. Vetëm për Brahon është bërë përjashtim. Për të, FSHF-ja, komuniteti i sportit toleronin. Një sportist si ai nuk mund të ndëshkohej për një test të tillë. Për të tjerët nuk është bërë asnjë privilegj në asnjë rast.
Futbollisti më i shpejtë në Shqipëri
Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite. Me një start dhe sprint të tillë, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit. Një shpejtësi natyrale, një aftësi që i ka mahnitur të gjithë. Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Në testime fizike realizonte kohë rekord në garat e distancave të shkurtra, ideale dhe të admirueshme për atlet të nivelit të lartë. Dhe, kur mendon se matjet realizoheshin me kronometër dore, ndoshta koha do të ishte tjetër.