Rreth 20 mijë studentë nisin sot vitin e ri akademik 2024-2025, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë ku ishin 19.700 studentë. 

Këtë vit të ri akademik ndryshe nga vitet e tjera kemi riorganizimi të disa  prej programeve të studimit në universitete për të mos rrezikuar mbylljen e tyre, siç janë degët ekzakte (fizik, matematik dhe kimi). 

Regjistrim të lartë ka pasur të studentëve që në raundin e parë, duke plotësuar pothuajse kuotat e degëve më të kërkuara nga të rinjtë si ata të IT dhe mjekësisë.Deri më tani degët e gjuhëve të huaj kanë më pak regjistrime, po ashtu edhe programet e lëndëve ekzakte si dhe ato të mësuesis.
Maturantët që kanë aplikuar në raundin e dytë të regjistrimeve, kanë afat edhe ditën e sotme për të kryer regjistrimin në degët e shpallura fituese.

Kryeministri Rama përmes një postimi në Facebook uron të gjithë studentët dhe pedagogët, në veçanti ata që ulen për herë të parë në auditore.

‘Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik’, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkohë, në nisje të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar sot studentët dhe stafin akademik. Nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Manastirliu ka bërë urimin së bashkë me studentë të rinj, të cilët po hyjnë në këtë fazë të rëndësishme të jetës së tyre akademike.

Ministrja, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha se janë mbi 20 mijë studentë që për herë të parë ulen sot në auditore të cilët kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.

“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë’, tha Ministrja Manastirliu.

Studentët iu bashkuan urimit të Ministres Manastirliu duke vënë theksin të mundësitë që ofrojnë universitetet tona, me ofertën akademike për tregun e punës.