Rreth 2 orë pasi anija italiane “Libra” mbërriti në Portin e Shëngjinit, 16 emigrantët e huaj kanë zbritur nga bordi i mjetit lundrues.

Ata ju nënshtruan disa kontrolleve mjekësore përpara se të zbrisnin. Nën masa të rrepta sigurie, 16 emigrantët u shoqëruan në qendrën e pritjes të ngritur në Shëngjin, sipas marrëveshjes së nënshkruar prej Kryeministrave Rama-Meloni.

Emigrantët do të qëndrojnë rreth 24 orë në qendrën e pritjes në Shëngjin, e më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit, aty ku do të qëndrojnë për disa javë deri në shqyrtimin e dokumentacionit të tyre nga pala italiane.

Perimetri i brendshëm i qendrës së pritjes në Shëngjin dhe i kampit në Gjadër është kompetencë tërësisht e karabinierëve italianë, ndërsa perimetri i jashtëm menaxhohet nga Policia Shqiptare.