Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko po merr pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore që po zhvillohen në Uashington DC, SHBA.
Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku vendimmarrësit më të lartë të FMN-së dhe BB-së, së bashku me guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare në këto institucione ndërkombëtare financiare, mblidhen së bashku për të diskutuar zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.
Banka e Shqipërisë po përfaqësohet në këto takime me një delegacion të kryesuar nga Guvernatori Gent Sejko si dhe drejtues të tjerë të lartë.
Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare.
Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.
Sejko zhvilloi një takim edhe me Matteo Bugamelli, drejtor ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, me të cilin diskutoi mbi nevojën dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer midis institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen.
Guvernatori Sejko në takim me guvernatorët e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor, pëfaqësues të BB dhe zëvendësguvernatoren e Bankës së Italisë, Chiara Scotti, u ndal në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave, siç është zbatimi i projektit për pagesat në kohë reale (Instant Payment) dhe me kosto më të ulët për qytetarët si dhe sfidat e inovacionit në teknologji.