Në Këlcyrë dhe Bularat janë mbajtur sot ceremoni përkujtimore në nderim të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 84 vite më parëNë të dy varrezat prehen tani gati 1300 ushtarë të identifikuar. Familjarë të të rënëve por edhe qytetarë të thjeshtë grekë udhëtuan sot drejt Bularatit për të nderuar kujtimin e të rënëve në ditën që njihet si dita e “Jo-së” që Italia fashiste morri në vitin 1940 nga qeveria greke.

“Në këtë tokë djemtë tanë sakrifikuan jetën që të jetojmë sot të lirë. Ju detyrohemi mirënjohje të përjetshme. Desha gjithashtu të falënderoj sinqerisht autoritetet shqiptare për bashkëpunimin e çmuar sipas marrëveshjes së vitit 2009 për kërkimin gjetjen dhe rivarrimin e ushtarëve grekë që humbën jetën në betejat e vitit 1940. Grekët dhe shqiptarët vazhdojnë të bëjnë përpjekje të përbashkëta që kontributi i të rënëve të njihet dhe të nderohet. Kjo zonë ka një rëndësi të veçantë për helenizmin sepse këtu jeton minoriteti grek që dua ti falënderoj për ruajtjen e ndërgjegjes kombëtare, gjuhës, fesë dhe qytetërimit tonë. Qeveria dhe populli grek nuk ju harron dhe qëndrojmë në krahun tuaj” , tha Konstandina Kamitsi, ambasadore e Greqisë.Sot është një ditë e madhe për popullin grek. Është dita që i tha “Jo” fashizmit. Në histori jemi nga popujt e paktë që festojmë nisjen e një beteje dhe jo fitoren. Shumë herë në jetë njerëzve ju duhet të thonë Po ose Jo të madhe. Ata që thanë Jo historia i nderon dhe i respekton”, tha Fredi Beleri, eurodeputet.

“Gëzuar për ditën e sotme! Është dita e Jo-së së madhe që tha Greqia në fillim të luftës, një Jo që duhet ta përdorin të gjithë dhe në çdo situatë”, Petro Gjikuria, ish kandidat për bashkinë e Himarës.

Kur kanë filluar negociatat me palën shqiptare më  shumë se 22 vite më parë për gjetjen e eshtrave të ushtarëve kërkesat nga pala greke kanë qenë për rreth 8500 të rënë nga 12000 që ishin në total të rënët e luftës italo- greke. Më pas ato u kufizuan në kërkimin e të paktën 3000 ushtarëve brenda qarkut të Gjirokastrës. Aktualisht pothuajse të gjithë ushtarët e gjetur janë identifikuar falë analizave të ADN- që shoqëruan procesin e zhvarrimit dhe rivarrosjes së tyre gjatë viteve të fundit.