Një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike janë vendosur në pjesën e hyrjes së Tiranës, mes aksit që lidh kthesën e Kamzës me ish-sheshin Shqiponja.
Nga videot e siguruara në terren, duke se ata kanë barrikaduar zonën me makinat e tyre.
Makina luksoze tip ‘Range Rover’ e deputetit Flamur Noka duket e parkuar skiç në mes të rrugës.
Noka tha se opozita përmes kësaj strategjie të zgjedhur duke bllokuar asket rrugore kërkon të ndërgjegjësojë partinë në pushtet se duhet një zgjidhje politike, konkretisht qeveri teknike për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira.
“Sot është hapi i dytë i mosbindjes civile, kemi zgjedhur këtë strategji në akset rrugore për t’i bërë thirrje narkoregjimit, zgjidhje politike për opozitën, qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është një akt për të sensibilizuar opinionin dhe bërë thirrje narkoregjimit: ndal terrorin ndaj opozitës, burgosjet politikë nuk e trembin opozitën, jemi në këmbë derisa kauza jonë të triumfojë”, tha Noka.
6 akse kryesore në vend do të jenë të paralizuara për shkak të protestës së opozitës që ka nisur në orën 17:00.
Konkretisht akset rrugore që janë bllokuar janë “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.