Një vatër të gripit të shpendëve ka shpërthyer në Mëzez të Tiranës, në një fermë familjare.

Gjatë ditës së sotme është kryer kontrolli në vatrën ku ka shpërthyer gripi i shpendëve, për të marrë masat e duhura.

Ndërkohe që po kryhet kontroll edhe në familjet e tjera përreth, për të konfirmuar nëse ka raste të tjera.

Njoftimi i plotë:
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të transparencës  dhe të informimit të publikut, menjëherë pas marrjes së konfirmimit  nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për prezencën e sëmundjes së Influencës Aviare me patogjenitet të lartë (H5N1) për një vatër të identifikuar si fermë oborri familjar, ngriti Qendrën Kombëtare të Krizës, e cila sot mbajti takimin e saj të parë, në zbatim të Urdhrit të Ministrit nr 885, 30.10.2024.
Për kontrollin efikas dhe të menjëhershëm të situatës në terren,  mëngjesin e ditës së sotme, përfaqësues të MBZHR dhe AKVMB inspektuan nga afër vatrën e identifikuar si pozitive, në Fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar. Shërbimi Veterinerar mbikqyri dhe monitoroi nëpërmjet kampionimit edhe ferma të tjera të vogla familjare, prezent në zonën e mbrojtjes dhe të mbikqyrjes, për t’i dërguar ato pa vonesë  në Laboratorin e Referencës – ISUV. Eshtë në fuqi Urdhri i Ministrit Nr. 411 datë 20.09.2022 “Për miratimin e planit të kontigjencës për sëmundjen e Influencës Aviare”,  i cili përcakton modalitetet e mbajtjes nën kontroll të sëmundjes, dhe Urdhri Nr. 177, datë 28.03.2023 “Për miratimin e programit kombëtar të mbikqyrjes së Influencës Aviare”.
Shërbimi Veterinar i AKVMB ka karantinuar vatrën dhe zonat e mbrojtjes dhe mbikqyrjes, me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Është njoftuar Instituti i Shëndetit Publik, për të kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut.
Prej ditës së sotme, njoftojmë fermerët, mbarështuesit e shpendëve të cilësdo lloj specieje, se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz, në zbatim të Urdhrit të Minstrit Nr. 886, datë 30.10.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, i cili përcakton:
Ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla,
Ndalimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla
Moslejimin e lëvizjes së shpendëve të gjallë pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes së influencës aviare. Këto shpendë duhen  të jenë të shoqëruar me certifikatën shëndetësore të lëvizjes së shpendëve, në Bashkinë Tiranë, Kamëz dhe Vorë.