Me 279 vota elektorale, që sipas projeksioneve tashmë i ka të siguruara nga 270 që nevojiten për të marrë Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump është në rrugën e kthimit në presidentin e 47-të të SHBA-së, dhe në të parin kryetar të shtetit amerikan në 100 vjet që merr një mandat të dytë presidencial jo të njëpasnjëshëm.Republikani rrëmbeu fitoren në shtetin e lëkundur të Pensilvanisë, çmimi më i madh nga të gjithë shtetet e lëkundura me numrin më të madh të votave elektorale mes tyre, 19. Përpara kësaj, Trump kishte siguruar edhe votat e dy shteteve të tjera të pavendosura, Karolinës së Veriut e Georgias, duke ia ngushtuar qe aty kundërshtares Kamala Harris rrugën drejt Presidencës…

Marrja e Shtëpisë së Bardhë do të jetë një rikthim i jashtëzakonshëm për Trump pas disfatës përballë Joe Bidenit në zgjedhjet e 2020-tës. Turma e mbështetësve të tij u elektrizua kur Fox News projektoi fitoren e Donald Trumpit në këtë garë tejet të ngushtë presidenciale, të cilësuar si historikeAta shpërthyen në brohorima, teksa kampin demokrat e mbuloi heshtja, ku u mësua se Harris, ka preferuar për momentin të mos flasë, ndërsa simpatizantë të saj që prisnin fitoren e saj në Universitetin Howard ku Harris u diplomua në 1986, janë përqafuar me njëri-tjetrin pa zë, duke nënkuptuar se po përgatiten për humbjen. Nga një foltore në West Palm Beach, Trump shpalli fitoren e u zotua të sjellë “një epokë të artë” për Amerikën.

Kjo ishte një lëvizje siç nuk ishte parë kurrë përpara, dhe që të jemi të sinqertë, besoj se është lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave. Në këtë vend, e ndoshta dhe përtej tij, nuk ka pasur asnjëherë diçka të tillë. Dhe tani, ajo do të mbërrijë një nivel të ri rëndësie, sepse ne do ta ndihmojmë vendin tonë. Sepse kemi një vend që ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë. Kishte një arsye përse ne shkruam historinë këtë natë, dhe arsyeja është të kapërcejmë pengesat që askush nuk mendonte se mund të kapërcehen“, u shpreh Trump.

Dua të falenderoj çdo amerikan që më zgjodhët presidentin tuaj të 47-të dhe presidentin tuaj të 45-të, dhe “i them çdo qytetari se do të luftoj për ju, për familjet tuaja dhe për të ardhmen tuaj”, shtoi ai. Duket se politika e jashtme nuk ishte shumë më vëmendjen e zgjedhësve amerikanë në këto zgjedhje presidenciale, dhe nëse projeksionet do të rezultojnë të sakta, ajo që fitoi ishte ekonomia, dhe shkurtimi drastik i taksave, sikurse ishte një premtimet kryesore të fushatës së republikanit.