Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u paraqit me pranga në duar në Kryesinë e Kuvendit, ku do të dëshmojë në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë për çështjen e koncesioneve të sterilizimit. Mbledhja nisi me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me afatet e komisionit.

Kryetarja e komisionit nga radhët e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, kërkoi shtyrjen e afatit të komisionit, me qëllim që të pyeten edhe biznesmenët italianë të përfshirë në skemën koncesionare.

Vokshi kërkoi thirjen për të dëshmuar në komision dhe të kryeministrit Rama.

“I është bërë njoftim Policisë së Shtetit ditën e djeshme, nuk kemi asnjë përgjegjës dhe asnjë njoftim nuk kemi nga tre shtetasit italianë. Ata janë aksionarë, pronarë, punonjës të një kompanie koncesionare të paguara me taksat e shqiptarëve, e kanë detyrim të paraqiten. Ditën e enjte është afati i fundit i komisionit hetimor. Në këtë kuptim, dua të informoj se kemi 10 dëshmitarë, dëshmia e të cilëve është e pamundur të ezaurohej në mënyrë që nesër të miratohej raporti dhe më pas në seancë plenare. Ne si deputetë kemi kërkuar Vilma Nushin, kryeministrin Edi Rama dhe sot kemi paraqitur dy kërkesa që këta të paraqiten. Janë dëshmi kyçe për komisionin hetimor.

Kemi edhe shtetasin Artan Lleshi dhe zotin Biba, që janë punonjës të Sani Service.
Si kryetare e komisionit, edhe duke u konsultuar me deputetët e opozitës në këtë komision, e cilësojmë të paplotë punën, dëshmi të paezaguara. Kemi kërkuar nga institucionet një sërë provash dhe faktesh që nuk janë vënë në dispozicion. Duhet të diskutojmë tani për të vendosur çfarë të bëjmë për komisionin. Duhet të kërkojmë një shtyrje tjetër”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i komisionit Plarent Ndreca, tha se nuk ka më arsye për të shtyrë afatet, pasi hetimi tashmë është shterues.

“Sa i përket afatit të komisionit unë mendoj se nuk ka asnjë vend për ta shtyrë më, ne e kemi shtyrë dy herë, kemi shtyrë dy muaj afatin e parë prej 4 muajsh si dhe kemi shtyrë dy javë të tjera për shkak të kërkesave të bëra nga ana juaj.

Unë mendoj se nuk ka më vend, ne kemi kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm, kemi marrë shkresa dhe kemi thirrur si asnjë komision tjetër dëshmitarë, është një numër shumë i lartë dëshmitarësh që ne kemi pyetur. Sot kemi dhe dëshmitarin kryesor që është zoti Beqja,” tha Ndreca.