Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve Rrugore, punonjës të Policisë Rrugore të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me ndihmësspecialistët për edukimin në shkolla dhe punën me të rinjtë dhe me përfaqësues të Zyrës Arsimore Gjirokastër-Libohovë, kanë organizuar aktivitete sensibilizuese me nxënësit e gjimnazit “Siri Shapllo”.

Objektivat e aktiviteteve, informimi dhe ndërgjegjësimi i nxënësve, për njohjen dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Gjatë aktiviteteve, u simuluan ngjarje rrugore dhe u informuan nxënësit mbi rëndësinë dhe mënyrën e reagimit të tyre në këto raste. Gjithashtu, u diskutua mbi elementet më të rëndësishme të sjelljes në rrugë si: funksioni i rripit të sigurimit, shpejtësia, pasojat e drejtimit të automjetit, në gjendje të dehur etj.

Diskutimet, tejet interesante dhe miqësore, u ndërthurën me ilustrime dhe me fletëpalosje, të cilat i bënë konceptet e sigurisë në rrugë, të qarta dhe të kuptueshme për nxënësit.