Dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha u paraqitën në SPAK këtë të hënë.

Ata kaluan dyert e Prokurorisë së Posaçme pasi GJKKO ka lëshuar masën “detyrim paraqitje” ndaj tyre në kuadër të megaoperacionit të SPAK.

Sot janë kryer kontrolle banesash ndaj 13 shtetasve midis tyre ish gjyqtarë, ish prokurorë por edhe në banesat e të afërmve të të shumë kërkuarit Suel Çela, pas një hetimi të SPAK që ka sërish si referim bisedat në Sky ECC dhe Enchro.

Ky hetim ka sjellë masën e arrestit ndaj Pajtime Fetahut, ndaj të cilës në gusht ishte firmosur një tjetër masë ndalimi ajo e arrestit shtëpiak mbasi dilte në dosjen “Çopja”.

Po ashtu masë sigurie arrest shtëpie është vendosur edhe ndaj avokates Blerina Beqiri e cila ka mbrojtur interesat e disa personave të dyshuar si pjesë e grupit të Suel Çelës.

Kontrollet e banesave janë kryer edhe në banesat e ish gjyqtarëve Zihni Shahu dhe Taulant Tafa dhe në shtëpitë e dy ish prokurorëve të shkarkuar nga Vettingu.