Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të premte një konferencë për shtyp në selinë e PD-së, ku shpalosi skenarët e aksionit opozitar pas lirimit të tij nga masa e arrestit shtëpiak.

Berisha nënvizoi se opozita nuk ka si synim të ndërmarrë një luftë guerile kundër qeverisë, por paralajmëroi se aktet e mosbindjes civile do të vazhdojnë deri në pranimin e kërkesës për formimin e një qeverie teknike.

Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se Partia Demokratike ka intensifikuar përpjekjet për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes presionit të mosbindjes civile.

“PD ka ndezur motorët e mosbindjes civile, të cilët janë njëkohësisht motorët e fushatës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në diktatura ka dy rrugë: ose luftë guerile, ose mosbindje civile. Ne jemi për mosbindje civile, gjersa të sigurojmë zgjedhje të lira. Ky duhet të pranojë qeverinë teknike. Hajde të bëjmë zgjedhje, fito nëse mundesh me qeveri teknike,” tha Berisha.

Në konferencë, Berisha foli edhe për arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji. Ai i cilësoi të dy si të burgosur politikë dhe premtoi se opozita nuk do të ndalë betejën për lirimin e tyre.

“Beteja për lirimin e tyre është e pandërprerë. Shqipëria është diktaturë. Shqipëria ka të burgosur politikë,” u shpreh Berisha.

Në përfundim, kryedemokrati përsëriti thirrjen për bashkimin e qytetarëve dhe përpjekjet e pandalshme për të rikthyer demokracinë në vend, duke theksuar rëndësinë e qeverisë teknike si kusht për zgjedhje të ndershme.