Temperaturat ekstreme po rrisin faturën financiare për furnizimin me energji elektrike. Në këtë muaj është shtuar konsumi i energjisë, për shkak të përdorimit të kondicionerëve apo pajisjeve të tjera, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet në vend nuk mjafton edhe në kushtet kur mungojnë reshjet.

Për të garantuar furnizim pa ndërprerje, KESH i është drejtuar disa herë tregjeve të huaja në këtë muaj duke blerë afro 46 mijë megavat energji me vlerë 4.3 milionë euro.

Energjia e blerë këtë muaj është më e kushtueshme se në muajin qershor. Sipas rezultateve të ankandeve nëse në muajin qershor një megavat energji është blerë nga 76 euro deri në 117 euro, këtë muaj një megavat ka kushtuar nga 99 euro deri në 209 euro. Në total KESH ka blerë 14.2 milionë euro energji elektrike për muajit qershor e korrik.

Ndërkohë në bursën hungareze HUPX, një megavat sot po tregtohet me 236.91 euro/megavat, ndërsa në momentet pik (që janë ora 20.00-21.00) çmimi për megavat do të arrijë në 937.30 euro/megavat.

Këto vlera të larta të energjisë, sinjalizojnë një verë të ‘nxehtë’ edhe për çmimet për një megavat energji. Ky shqetësim u ngrit edhe nga ekspertët e FMN-së, në deklaratën në përfundim të misionit në datat 9-12 korrik në Shqipëri.

“Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të mundshëm për poshtë, ndërkohë që ekonomia mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve të goditjeve të sektorit energjetik të lidhura me motin dhe një ndryshimi të papritur të kahut të kursit të këmbimit”, shprehet FMN.